Kohët e fundit është përfolur se Bayern Munich është një nga klubet që është interesuar për Dani Olmo, situata e të cilit është kaotike, pasi Barcelona ende nuk e ka regjistruar për pjesën e mbetur të sezonit. Lojtari ndodhet në Arabi me katalanasit për sfidat e Superkupës, por situata mund të ndryshojë.
Gjithsesi, sipas “Bild”, skuadra bavareze nuk po mendon seriozisht për spanjollin dhe mundësinë për ta rikthyer në Bundesliga (ka luajtur me Leipzig). Një nga drejtuesit e Bayern, Max Eberl (e njeh mirë Dani Olmo), ka konfirmuar se një operacion i mundshëm për spanjollin nuk është prioritet për momentin.
“Do të më duhet të lexoj rregulloret spanjolle për të kuptuar se çfarë do të thotë e gjithë kjo situatë rreth tij: I regjistruar, i paregjistruar. Nuk di mjaftueshëm për të. Gjithsesi, ne nuk po punojmë për ta sjellë këtë lojtar këtu”, u shpreh Eberl për mediat gjermane.
Ndërkohë, Barcelona do të paraqesë sot një kërkesë pezullimi në Këshillin Superior të Sporteve (CSD) për të regjistruar Dani Olmo dhe Pau Víctor, në mënyrë që ata të luajnë në Superkupën e Spanjës. Në fakt, të dy lojtarët janë me ekipin në Arabi, në pritje të një zgjidhjeje për situatën e tyre.







