Bellingham flet me “dorë në zemër: Bëjmë një hap përpara dhe dy pas, iu kërkojmë falje tifozëve

30 Nëntor 2024
8:49
Alfred Lleshi
back button

“Duhet t’i falënderoj dhe t’u kërkoj falje ndaj të gjithë madridistëve që na ndoqën në Angli”. Me këto fjalë, Jude Bellingham iu drejtua tifozëve të Real Madridit, pas disa ditësh reflektim mbi humbjen ndaj Liverpool-it, në ndeshjen e pestë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Këtë sezon, merenguesit nuk po duken të pagabueshëm dhe aktualisht pozita e tyre në renditjen e kompeticionit europian për klube është në rrezik.

Mesfushori anglez përdori Instagramin për t’iu kërkuar falje tifozëve të bardhë që udhëtuan drejt “Anfield” për të ndjekur… disfatën e Champions League: “Gjithmonë një hap përpara dhe dy pas në këtë moment. Një paraqitje dhe një rezultat vërtet zhgënjyes, pavarësisht nga kundërshtari i shkëlqyer.

Duhet t’i falënderoj dhe t’u kërkoj falje të gjithë madridistëve që na ndoqën në Angli. Nuk ka kuptim të ngulmojmë në atë që nuk mund ta ndryshojmë më. Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe ta shtyjmë përpara njëri-tjetrin në këtë periudhë të rëndësishme ndeshjesh. Hala Madrid, gjithmonë!”

Edhe trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, pranoi gabimet pas humbjes 2-0 në “Anfield”: “Rezultati ishte i drejtë. Ishte një ndeshje e vështirë për ne. E dinim që Liverpool-i ishte në formë të mirë. Megjithatë, rezultati nuk ndryshon shumë, sepse edhe me një fitore do të ishte e vështirë të siguronim një vend ndër të tetë më të mirët. Po kthehemi të luajmë siç dëshirojmë, por lista e dëmtimeve është problem”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit