Ka disa lojtarë që thjesht luajnë…, disa të tjerë e përfaqësojnë në mënyrën më dinjitoze kombin. Berat Gjimshiti i përket kategorisë së dytë. Mbrëmë, në Varshavë, kapiteni kuqezi arriti një shifër simbolike: 70 ndeshje me fanellën e Shqipërisë. Një numër që nuk tregon vetëm vazhdimësi, por histori, sakrificë dhe një karakter të pathyeshëm.

Nga Presheva në Zvicër, me zemër kuqezi – I lindur në Zyrih, por me rrënjë nga Lugina e Preshevës, Gjimshiti u rrit në një kulturë të dyfishtë: disiplinën zvicerane dhe identitet shqiptar. Ai kaloi nëpër akademinë e Zürich dhe u formua si futbollist në një sistem modern futbolli, por zgjedhja e tij më e madhe nuk ishte sportive, ishte shpirtërore. Në vitin 2015, ai refuzoi mundësi të tjera dhe zgjodhi Shqipërinë, duke marrë shtetësinë e debutuar menjëherë. Madje, ishte pjesë e rrugëtimit historik drejt “Euro 2016”, duke shënuar edhe gol në ato kualifikime.
Plaga e “Euro 2016”, momenti që mund ta thyente – Ka raste kur futbolli është edhe padrejtësi. Në momentin më të madh historik të kombëtares, Gjimshiti mbeti jashtë listës finale të “Euro 2016”. Goditje e rëndë dhe gjerësisht e konsideruar e pamerituar për një lojtar që kishte kontribuar në kualifikimin për herë të parë në Europian të kuqezinjve. Shumë të tjerë do të ishin dorëzuar, ndoshta edhe do të ishin “zhdukur”. Ai, jo.

Nga i “injoruar” prej De Biasit në shtyllë të kombëtares – Pas atij zhgënjimi të finaleve të “Euro 2016”, Gjimshiti u kthye më i fortë. U bë titullar i padiskutueshëm në mbrojtje, u rrit si lider në heshtje. Ai u shndërrua në simbol të stabilitetit dhe besueshmërisë kuqezi. Në vitet që pasuan nuk ishte më thjesht lojtar, por garancia e mbrojtjes dhe unitetit kuqezi. Kulmi erdhi në vitin 2023, kur trajneri Sylvinho i besoi shiritin e kapitenit, duke vlerësuar qetësinë dhe lidershipin e tij në fushë. Shirit që e mban me krenari edhe sot e kësaj dite.
Lideri që nuk bën zhurmë – Në një epokë ku shumë liderë kërkojnë vëmendje, Gjimshiti udhëheq ndryshe: me pozicionim perfekt, me komunikim të vazhdueshëm në mbrojtje, me sakrificë dhe disiplinë absolute. Ai nuk është kapiteni që flet më shumë, por që gabon më pak.

Një rrugëtim që vazhdon – Nga djaloshi i refuzuar në prag të një turneu historik si “Euro 2016”, në kapitenin që e çoi Shqipërinë drejt “Euro 2024” dhe objektivave të rinj, deri në gjysmëfinalen e “play off”-it të Botërorit 2026. Gjimshiti është sot një nga figurat më të respektuara të futbollit kuqezi. Madje, ai është shpallur edhe “Lojtari i Vitit i Kombëtares”, si vlerësim nga vetë shokët kuqezinj. Historia e tij nuk është thjesht për futbollin; por për durimin kur nuk të zgjedhin, për karakterin kur të lënë jashtë, për besimin kur askush nuk të garanton asgjë. Sepse, ndonjëherë, kapitenët nuk lindin…, formohen në momentet kur gjithçka duket e humbur dhe e pamundur. Berat Gjimshiti, 70 ndeshje me kombëtaren tonë kuqezi, por si histori vlen shumë më tepër se numrat.








