Dy ish-mbrojtësit legjendarë të Interit dhe Milanit, Beppe Bergomi dhe Alessandro Costacurta, rikujtojnë momentet më emocionuese të karrierës së tyre, përpara derbit të së dielës mbrëma, në një udhëtim të veçantë me metronë e linjës M5, e njohur si “Lilla”, e cila lidh qytetin me stadiumin “San Siro”.

Kjo skenë evokon një moment historik të gazetarisë sportive italiane. Gati 50 vite më parë, Beppe Viola intervistonte Gianni Riverën në një tramvaj, gjatë emisionit “Domenica Sportiva”.

Të intervistuar nga Gianluigi Bagnulo për “Sky Sport” dhe revista online e transportit publik të Milanos, “Lineadiretta”, Bergomi dhe Costacurta folën për lidhjen e tyre me transportin publik. Ata udhëtuan së bashku nga stacioni i parë i linjës, Bignami, deri te ndalesa “San Siro Stadio”, që ndodhet pranë tempullit të futbollit italian.

Gjatë karrierës së tyre si profesionistë nuk përdornin transportin publik, por më parë, kur ishin të rinj dhe aspironin të bëheshin kampionë, e përdornin për të shkuar në stërvitje. “Në atë kohë merrnim autobusin 93 për të shkuar në stërvitje, – kujton Costacurta. – Fillimisht e bëri Interi, më pas Milani me Capellon. Në Rogoredo stërviteshim dhe luanim, ishte pothuajse një ritual”.

Bergomi shtoi: “Si tifoz, për të shkuar në stadium, zbrisje te Lotto dhe ecje deri tek impianti”.
Sot, ata theksojnë se transporti publik është shumë më i shpejtë dhe i lehtë për t’u përdorur. “Dikur duhej trefishi i kohës për të arritur në stadium”, – përfundojnë dy ish-kampionët.







