Brahim Díaz do të rinovojë me Real Madridin, konsiderohet lojtar kyç edhe për Xabi Alonson

17 Qershor 2025
7:37
Alfred Lleshi
back button

Mungon vetëm zyrtarizimi, por marrëveshja është arritur. Brahim Díaz do ta zgjasë kontratën e tij me Real Madridin, duke u lidhur edhe për disa vite të tjera me klubin më të titulluar në botë. Sipas asaj që raporton “MARCA”, fantazisti ispano-maroken, i cili aktualisht ka kontratë deri në vitin 2027, do të firmosë një marrëveshje të re afatgjatë, duke u bërë pjesë e plotë e projektit të së ardhmes së klubit.

25-vjeçari, i ardhur në “Bernabéu” në vitin 2019, ka fituar me durim dhe cilësi një vend të rëndësishëm në skuadër. Pas huazimit te Milani, sezoni 2023-2024 ishte ai i shpërthimit të tij: 51 paraqitje, 6 gola dhe 7 asistime, përveç paraqitjeve që bindën si tifozët, ashtu edhe drejtuesit e Real Madridit.

Mes admiruesve të tij është edhe Xabi Alonso, trajneri i ri i Realit e vlerëson shumë aftësinë e tij për të luajtur mes linjave, duke shtuar të papriturën dhe teknikën në një repart sulmues tashmë të mbushur me talent.

Brahim tashmë është bërë edhe një pikë referimi për kombëtaren marokene, të cilën zgjodhi ta përfaqësojë pas një pritjeje të kotë për ftesë nga Spanja. Pas ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Nigerit dhe Zambisë në shtator dhe tetor, ish-lojtari i Milanit do të jetë një nga protagonistët e Kupës së Afrikës, që do të zhvillohet në Marok nga 21 dhjetori deri më 18 janar.

Më pas, objektivi i madh do të jetë Botërori 2026, ku skuadra e Regraguit do të kërkojë ta përsërisë, ose ta kalojë, vendin e katërt historik të arritur në Katar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit