Broja: Anglia ka nivel shumë të lartë, por ato 2 gola që pësuam mund t’i evitonim

22 Mars 2025
8:31
Alfred Lleshi
back button

U kthye pas disa kohësh në kombëtare, me lumturinë e lënies pas të dëmtimeve, që e kanë penalizuar rëndë këtë sezon. Futja e tij në fushë i bëri me krahë kuqezinjtë tanë, solli pështjellim të madh tek anglezët. Megjithatë, kur ndoshta po shtynim përpara, falë inkursioneve të tij, në kërkim të golit të barazimit, erdhi ndëshkimi i dytë i vendësve, duke e mbyllur gjithçka në “Wembley”, me shifrat 2-0 për “Tre Luanët”.

Duke folur për mediat pas ndeshjes, Broja nënvizoi mes të tjerash: “E dinim që do të ishte e vështirë, Anglia është një nivel shumë i lartë. Ata janë në një nivel me Francën, Belgjikën, Holandën dhe Spanjën, e dimë që kanë shumë cilësi.

Luanim në shtëpinë e tyre, por çdo gjë është e mundur në futboll. I kishim edhe ne disa mundësi për gol. Tek Anglia, kur lodhet ndonjë lojtar, futet një tjetër me cilësi po aq të mëdha, ndaj e dinim që ishte e vështirë. Ekipi ishte mirë, kishim mundësi të mos i pësonim ato dy gola.

Për mendimin tim nuk ishin gola të bukur e të rrezikshëm. Njëri ishte pasim pas shpine, pastaj tjetri krosim në shtyllë të dytë, e preku mirë sulmuesi. Këto gjëra mund t’i përmirësojmë dhe të shkojmë në nivel më të lartë.

Mund të jetë një imazh i 1 person, duke luajtur futboll, duke luajtur futboll dhe teksti

U ktheva nga një dëmtim i gjatë, ka qenë e vështirë për mua. Isha i fokusuar te kthimi, te trupi, shpresoj të kem mundësi më të mëdha e të mos dëmtohem përsëri. Sot më ka pëlqyer se si reagoi trupi e shkoi loja, kisha edhe unë shanse. Në një ndeshje tjetër mund t’i kisha shfrytëzuar shanset, të shënoja, se patëm dy mundësi në fund.

Kombëtarja më ka munguar shumë. Sikurse e thashë para Europianit më pëlqen shumë të luaj me kombëtaren, më pëlqejnë shumë tifozët, të cilët ishin të mrekullueshëm edhe sonte, na dhanë kurajë. Jam shumë i kënaqur që u ktheva, shpresoj të rikuperohem 100%, të vazhdoj pa dëmtime dhe të kënaqem duke luajtur futboll. Është diçka e bukur të kesh mundësinë të luash në këtë stadium. Nuk munden ta bëjnë të gjithë.

Edhe Evertoni, edhe Chelsea kanë fol me kombëtaren për gjendjen time. U ktheva nga dëmtim i gjatë. Ka qenë sezon i vështirë për mua dhe trupin tim. Tani dua të kthehem fizikisht sa më mirë dhe të jem pa dëmtime.

E dija që nuk do luaja nga minuta e parë, sepse për rikuperimin tim, nuk mund të luaja 90 minuta. Tani u ktheva, luajta 10 minuta me Evertonin të shtunën. Më tha trajneri të bëhem gati se ndoshta do luash 30-40 minuta. Thashë do rri i gatshëm se mos e ndihmoj kombëtaren. Jam i lumtur që dola mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit