Ai dha asistin për Manajn, në golin e dytë. I papërmbajtshëm në të djathtë të sulmit kuqezi, fillimisht, pastaj e pamë të qarkullonte lirshëm në tërë repartin tonë ofensiv. Vetë trajneri Sylvinho ia kishte dhënë këtë liri, gjë që e pranoi bomberi ynë kuqezi pas fitorëes 3-0 ndaj Andorrës:
“Ndjeva pak lodhje në fund, ishte një kohë e gjatë që nuk luaja kaq, sepse kam pasur dëmtime. Kam dhënë një asist për ekipin dhe jam i kënaqur për tri pikët. Tifozët na japin mbështetje shumë të mirë, jam shumë i lumtur për kthimin në kombëtare. Kur isha edhe i vogël tek akademia e Chelsea luaja kudo në sulm.
Jam tipi i futbollistit që dua të luaj dhe të dribloj me topin. E dija që Andorra është ekip i vështirë dhe nuk futesh dot në lojë ndaj saj. Kur dhashë asistin, Asllani pa hapësirën që avancova. Trajneri më tha para ndeshjes që je i lirë në sulm. Mundesha të lëvizja kudo, në pjesën e parë krijova shanse.
Jam sulmues dhe kam qejf të shënoj gola. Natyrisht, edhe golat do të vijnë. Jam shumë i kënaqur për tri pikët, sepse e filluam mirë para tifozëve tanë. Trajneri i merr vendimet, kush luan dhe kush jo. Në krah ka pasur hapësirë, unë jam lojtar i shpejtë dhe e shfrytëzova mundësinë. Shohim përpara, uroj me më shumë fitore”.







