Vazhdojnë përgatitjet e kombëtares kuqezi për ndeshjen vendimtare kualifikuese të 11 tetorit ndaj Serbisë, e cila do të luhet në Leskovac. Në konferencë për shtyp sot doli Armando Broja dhe Arlind Ajeti. I pari, i cili nuk po e gjen dot veten as në klubin e ri, ku kaloi kësaj vere, u shpreh para gazetarëve:
Ju mungon goli nga viti 2023, por tifozëve shqiptarë iu mungon Broja i vërtetë…
Më e rëndësishme për mua është të fitojmë ndeshjen. Normalisht kam dëshirë të shënoj gola, por më e bukura do të ishte ta fitonim ndeshjen duke krijuar raste dhe ndihmuar njëri-tjetrin.
Një sfidë jo si gjithë të tjerat. Si është atmosfera brenda ekipit dhe a keni pasur biseda me trajnerin Sylvinho?
Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, por ne duhet të jemi të fokusuar dhe të përqendruar. Normalisht që është ndeshje e madhe, por duhet të luajmë si skuadër, të dëgjojmë udhëzimet e trajnerit për të fituar.
Goli i fundit juaj daton në vitin 2023. A ka ndikim zhvendosja juaj në krahun e djathtë për mungesën e golave?
Jo, nuk ndikon pozicioni. Mund të shënoj edhe në krahun e djathtë. Kam folur me trajnerin dhe ai më ka thënë se duhet të jem i përqendruar kur të kem rastet. Dua ta ndihmoj ekipin, qoftë duke shënuar apo duke asistuar. Nuk e kam mendjen vetëm te goli, por te fitorja e skuadrës.
A besoni se do të kualifikohemi?
Kemi shanse të mira, edhe pse rivalizojmë ekipe të vështira si Anglia dhe Serbia. Duhet të luftojmë fort deri në fund. Kjo është ndeshja e radhës dhe duam ta fitojmë patjetër.







