Buffon merr anë për refuzimin e Acerbi: Nuk i tha “jo” Spallettit, i tha “jo” Italisë

3 Qershor 2025
7:48
Alfred Lleshi
back button

Duke folur për mikrofonët e “Rai Sport”, Gianluigi Buffon, shefi i delegacionit të kombëtares italiane, foli edhe për çështjen Acerbi, mbrojtësin e Interit, i cili nuk iu përgjigj thirrjes së Spallettit për ndeshjet e radhës: “Kur një futbollist refuzon një ftesë, nuk po i thotë jo Spallettit, por diçkaje shumë më të madhe; Italisë.

Figurat si e imja, e Spallettit apo të trajnerëve dhe drejtuesve që kanë qenë para nesh, janë të përkohshme. Ne kemi vetëm për një periudhë të caktuar nderin të përfaqësojmë vendin, por ajo që mbetet është vlera absolute e fanellës blu”.

Një koncept i qartë dhe i fortë: “Vlera e pazëvendësueshme është një e vetme; kombëtarja. Të veshësh atë fanellë do të thotë të përfaqësosh të gjithë lëvizjen tonë futbollistike. Dhe kjo, për ata që e duan futbollin, nuk mund të vihet kurrë në plan të dytë”.

Reagimi i Acerbit: “Pas një reflektimi të thellë, i komunikova trajnerit se nuk do ta pranoja ftesën në kombëtare. Nuk është një vendim i marrë lehtë, sepse të veshësh fanellën e kaltër ka qenë gjithmonë nder dhe krenari për mua.

Megjithatë, duke marrë parasysh ngjarjet e fundit, sot nuk ekzistojnë kushtet për ta vazhduar këtë rrugëtim në mënyrë të qetë. Nuk kërkoj justifikime dhe as favore, por kërkoj respekt. Dhe nëse ky respekt mungon nga ai që duhet të udhëheqë një grup, atëherë preferoj të tërhiqem.

Nuk jam nga ata që kapen pas një ftese. Gjithmonë kam dhënë gjithçka, por nuk qëndroj atje ku nuk jam më i dëshiruar me të vërtetë. Është e qartë se nuk jam pjesë e projektit të trajnerit.

Ky është vendimi im dhe, siç i thashë trajnerit, nuk është përfundimtar, as i diktuar nga inati, as nga ndonjë ‘depresion’ për një finale Champions-i të humbur, por vetëm nga nevoja për të bërë një hap pas. I uroj më të mirën kombëtares dhe shokëve të mi. Do të vazhdoj t’i mbështes me të njëjtin përkushtim, që gjithmonë kam treguar në fushë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit