Aventura e Carlo Ancelottit si trajner i Brazilit nisi me një barazim kundër Ekuadorit në Guayaquil. Pa pësuar gol, një aspekt i rëndësishëm për teknikun italian, i cili mezi pati kohë për ta përgatitur ndeshjen, pasi e shpalli listën e të grumbulluarve në mënyrë të nxituar.
Ancelotti duket i bindur se skuadra e tij mund të rritet edhe falë mbështetjes së lojtarëve që ai i njeh shumë mirë. Ndër ta është edhe Casemiro. Mesfushori i Manchester United, pas një periudhe të alternuar me ulje-ngritje, është rikthyer më në fund në nivelin e tij nën drejtimin e Rúben Amorim dhe ka veshur sërish fanellën e “Seleçaos”.
Nuk ndodhte që nga tetori i vitit 2023, por gjithsesi pati disa kritika për rikthimin e tij në kombëtare. “Ndihem i lumtur që jam kthyer në kombëtare, që kam rifilluar të luaj futboll të mirë. Nuk jam këtu sepse e njoh trajnerin, por për meritë, – deklaroi lojtari për mediat para ndeshjes kundër Paraguajit. – Jam një ushtar i Brazilit, ashtu si të gjithë lojtarët. Jemi ushtarë të trajnerit, ushtarë të kombëtares braziliane dhe duam të japim më të mirën për kombin”.
Mesfushori, i cili i bëri shumë elozhe trajnerit italian, nënvizoi se një nga pikat më të forta të Ancelottit është “ana e tij njerëzore, marrëdhënia që ka me lojtarët, afërsia dhe natyrshmëria që tregon ndaj tyre”. Casemiro dëshiron të jetë shembull për të gjithë shokët e ekipit:
“Dua t’i bëj mirë gjërat në fushë; të frymëzoj respekt dhe të transmetoj eksperiencën time. Kur ke punuar më parë me trajnerin dhe e njeh stilin e tij, gjithçka bëhet më e lehtë… Kam më shumë zë në dhomën e zhveshjes”.







