Boksieri britanik Chris Eubank Jr fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve duelin ndaj patriotit të tij Conor Benn, duke mbrojtur titullin kampion bote në kategorinë IBO, në peshën e mesme.
Dueli i zhvilluar në stadiumin e Tottenham ishte një spektakël i vërtetë, me dy boksierët që dueluan pa pushuar asnjë sekondë nga raundi i parë deri tek i 12-ti. Aq sa në fund mezi qëndronin në këmbë.
Të tri gjyqtarët i dhanë fitoren Chris Eubank me rezultatin e njëjtë (116-112, 116-112, 116-112). Kjo është fitorja nr.35 në karrierë për Eubank jr, që ka edhe 3 humbje. Ndërsa për Benn vjen humbja e parë në karrierë pas 23 fitoresh.

Tifozët që kishin mbushur stadiumin shijuan një superduel, me Eubank që arriti të fitojë edhe falë shtatlartësisë. Edhe pse u dëmtua në vetull, u gjakos në raundin e nëntë, ai arriti të tregojë një epërsi të lehtë në ring.
Nga ana e tij, Benn synoi të vinte shpesh në vështirësi rivalin, por nuk ishte efikas gjatë gjithë kohës. Në disa raunde pati vështirësi t’i afrohej rivalit. Gjithsesi, ai dueloi si i barabartë, pork jo s’mjaftoi për të fituar.
Një përballje që pritej me interes edhe për faktin se baballarët e tyre kishin dueluar 30 vite më parë. Chris Eubank Sr pat fituar sfidën e parë ndaj Nigel Benn, ndërsa dueli i dytë mes tyre pat përfunduar barazim. Tashmë stafetën e patën djemtë e tyre, me Eubank Jr që ndoqi gjurmët e babait të tij.







