Cristiano Ronaldo vazhdon të sfidojë kohën dhe, në prag të atij që pritet të jetë Botërori i tij i fundit, mbetet i vendosur të tregojë se mosha nuk është pengesë për të. Në moshën 41-vjeçare, kapiteni i Portugalisë iu përgjigj kritikëve që vënë në dyshim gjendjen e tij fizike: “Fizikisht? Jam mirë, nuk i keni parë ndeshjet e mia?”
Para këtij Botërori, CR7 nuk e sheh veten si një legjendë në fund të karrierës, por si lider të një Portugalie që synon trofeun. Pas një tjetër sezoni të suksesshëm me Al-Nassr në Arabinë Saudite, ai ndihet gati për sfidën më të madhe: “Nuk e dimë nëse jemi favoritë apo jo. Kjo do të shihet në fund. Kemi një brez mjaft të mirë lojtarësh dhe besoj se do t’u japim shumë gëzim portugezëve”.
Portugalia do të përballet me Kongon, Uzbekistanin dhe Kolumbinë në fazën e grupeve. Ronaldo kërkon qetësi: “E rëndësishme është ta nisim mirë ndeshjen e parë, pastaj të dytën dhe të tretën. Rruga ndërtohet duke ecur hap pas hapi”.
Edhe testet fizike para turneut kanë konfirmuar formën e tij të jashtëzakonshme. Një mjeke që e ndoqi në fillimet e tij me kombëtaren zbuloi se disa nga parametrat e Ronaldos janë pothuajse identikë me ata të vitit 2003, kur debutoi me Portugalinë.
Falë disiplinës së hekurt, ushqimit të kontrolluar dhe stërvitjes së personalizuar, Ronaldo vazhdon të konkurrojë në elitë. Tani ai synon trofeun e vetëm të madh që i mungon. “Kur gjërat të bëhen më të vështira, do të shohim kampionët e vërtetë”, – paralajmëroi ai. Ronaldo vazhdon t’iu përgjigjet dyshimeve si gjithmonë: duke luajtur, shënuar gola dhe refuzuar t’i dorëzohet kohës.







