Pogba i bindur: Me Carrick në stol, Manchester United po kthehet aty ku e meriton

13 Qershor 2026
13:30
Alfred Lleshi
back button

Paul Pogba është i bindur për ndikimin pozitiv të Michael Carrick te Manchester United. Mesfushori francez, i cili u rikthye në futboll me Monaco në nëntor, pas pezullimit për doping, foli për ndryshimin që trajneri anglez ka sjellë te “Djajtë e Kuq”.

Carrick, 44 vjeç, arriti të përmirësojë rezultatet dhe pozicionin në renditje të skuadrës, duke e kualifikuar për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. “Gjërat shkuan mirë. Mendoj se ishte një rrugëtim shumë i mirë për të dhe për lojtarët. Ndihej një atmosferë tjetër, një energji ndryshe dhe kjo u bëri mirë. Ishte pikërisht ajo që u nevojitej”, – tha Pogba për ESPN.

Ish-mesfushori i Juventusit shtoi: “Sezonin e ardhshëm do të rikthehen në Champions League. Do të jetë një sfidë e bukur dhe do të duhet të provojnë veten. Ishte pa dyshim një sezon i mirë për ta rikthyer Manchester United aty ku e meriton të jetë”.

Pogba foli edhe për Botërorin që po zhvillohet. Sipas tij, Argjentina është favoritja kryesore: “Po, mendoj se të gjithë i shohin si favoritë kampionët në fuqi. Ata kanë ndoshta lojtarët më të mirë në botë. Sidoqoftë, kjo nuk mjafton për të fituar një Botëror dhe presioni mbi ta është më i madh. Duhet të ruajnë nivelin më të lartë të mundshëm”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit