Gjatë një interviste për portalin holandez “Voetbal International”, mesfushori i kombëtares “tulipane” dhe i Barcelonës, Frenkie De Jong, ka folur për sezonin e sapo përfunduar dhe kontratën e tij me blaugranat, e cila skadon në qershor të vitit 2026. Këto kanë qenë fjalët e tij:
“Rinovimi? E duam si unë, ashtu edhe klubi. Kur është kështu, zakonisht arrihet marrëveshja. Shpresoj që të ndodhë shpejt. Sa i përket sezonit që sapo u mbyll, nuk mendoj se ishte më i miri për mua. Njerëzve iu pëlqen të ekzagjerojnë. Sigurisht, qëndrova jashtë për një kohë të gjatë për shkak të dëmtimit në kyçin e këmbës, por më parë kisha bërë edhe paraqitje të mira.
Diferenca e madhe është se tani kemi një skuadër më të mirë dhe kjo duket. Personalisht, mendoj se kam qenë në formën time më të mirë sezonin para dëmtimit. Kur fiton të gjitha trofetë në Spanjë dhe arrin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, është normale që dallohesh më shumë”.
Fjalë të qarta nga mesfushori i lindur në vitin 1997, i vendosur të qëndrojë në Katalonjë për të rikthyer formën e tij më të mirë. Ish-lojtari i Ajax-it e ka mbyllur sezonin me Barcelonën me 46 paraqitje, 2 gola dhe 2 asistime. Shifra të mira, më të larta se ato të sezonit të kaluar, por që gjithsesi nuk arrijnë nivelin e performancave që ka treguar në të kaluarën.







