Diego Armando Maradona Sinagra, djali i madh i Diego Armando Maradonës, foli për “MARCA” në prag të gjysmëfinales mes Argjentinës dhe Anglisë. “Nuk do të jetë kurrë një ndeshje normale. Anglia është një skuadër e fortë, por për të siguruar finalen duhet të mposhtë kampionët e botës. Do të jetë e vështirë për të dyja ekipet”, – tha ai.
Maradona Jr. theksoi se për babanë e tij kjo sfidë kishte gjithmonë një domethënie të veçantë: “Nuk do ta shihte kurrë si një ndeshje të zakonshme. Për të gjithë argjentinasit dhe adhuruesit e Maradonës, rikthehen në mendje ‘Malvinat’, vëllezërit tanë që humbën jetën atje dhe më pas Botërori i vitit 1986. Babai im fitoi një përballje historike dhe që atëherë asgjë nuk ka qenë normale kundër Anglisë”.
Duke folur për Lionel Messin, ai shtoi: “Nuk kam pasur fatin ta njoh personalisht, por e kam në zemër. Ai meriton ta fitojë sërish Botërorin. Është më i miri mes njerëzve, ndërsa babai im ishte jashtëtokësor. Uroj që Zoti t’i japë mundësinë të luajë dhe ta fitojë edhe një finale tjetër”.







