Federico Dimarco u rikthye në fushë dhe menjëherë ndihmoi Interin të sigurojë fitoren 2-1 ndaj Udineses. Pas ndeshjes, ai foli për “Inter TV”, duke theksuar rëndësinë e tri pikëve dhe forcën e grupit:
“Jam i lumtur që u ktheva në këtë mënyrë. Ishte e rëndësishme të fitonim sot dhe ia dolëm. Kjo është forca e skuadrës sonë. Kushdo që luan dhe kushdo që hyn nga stoli, të gjithë rreshtohen në të njëjtin drejtim”.
Një fitore vendimtare në një moment kyç të sezonit: “Këto fitore vlejnë tri pikë, por në këtë fazë të kampionatit kanë një peshë të madhe. Ende kanë mbetur shumë ndeshje, ndaj duhet të ruajmë qetësinë dhe të vazhdojmë të punojmë siç kemi bërë deri tani. Kur humb qetësinë, rrezikon të dalësh nga shinat”.
I pyetur nëse skuadra mendonte tashmë për ndeshjen e ardhshme, derbin e Kupës së Italisë ndaj Milanit, Dimarco u përgjigj prerë: “Nuk besoj se mendja ishte tek e mërkura. Me trajnerin e kishim përgatitur mirë këtë ndeshje dhe e dinim që qasja do të ishte vendimtare. Dhe në fakt, pas 30 minutash lojë ishim në avantazh 2-0”.
Në fund, një koment për filozofinë që udhëheq grupin zikaltër: “Sekrete? Asnjë. Rrimë të heshtur dhe punojmë. Ky është mentaliteti ynë”.







