Dinamo merkato e fuqishme në prag të sezonit të ri, synon rikthimin në majën e volejbollit shqiptar, ja emrat

25 Gusht 2025
12:36
Telesport
back button

Skuadra e Dinamos në volejboll për femra po bën një merkato të fuqishme këtë verë, me objektivin për të qenë protagonist në Superligë dhe rikthyer në kohët e arta. Ardhja e disa volejbollisteve të huaja apo edhe e një trajneri të ri konfirmojnë objektivat e mëdha.

Në krye të ekipit është trajneri Orlando Koja, që pas përvojës me Skënderbeun kërkon të rikthejë titullin edhe te Dinamo. Ndërkohë, që gjatë ditëve të fundit, përmes postimeve në faqen e saj zyrtare në Facebook, klubi ka konfirmuar ardhjen e mjaft lojtareve apo konfirmin e disa të tjerave.

Për Dinamon ka firmosur Ksenya Kuryerova e Kazakistanit, që rikthehet në Shqipëri pas përvojës me Skënderbeun disa sezone më parë. Një tjetër volejbolliste që rikthehet në Superligë është Anastasia Atepalina, që ka luajtur me Skënderbeun e Tiranën më herët.

Surprizë është ardhja e portugezes Bia Machado (26 vjeçe), një diagonaliste e fuqishme. Më herët ka firmosur për “blutë” edhe braziliania Nayara Ferreira. Një tjetër blerje është ajo e Irina Rakip, që ka luajtur më herët me Skënderbeun në kampionatin shqiptar.

Për Dinamon kanë firmosur edhe lojtarë të tjera nga Shqipëria si Stela Kiri, Xhenifer Pira dhe Elena Bego. Ndërkohë që orët e fundit janë konfirmuar te skuadra edhe Sofia Llapa, Sonia Sulejmani dhe Emi Bregu. Pra, një ekip me shumë risi që synon majat sezonin e ri.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit