Dinamo përplaset me FSHV për çështjen e gjinisë së lojtares dhe liston parregullistë e kryera nga Federata

29 Tetor 2025
8:44
Telesport
back button

Vijon debate në lidhje me çështjen e volejbollistes braziliane Nayara Ferreira, që luan me Dinamon në Superligë, por është e pezulluar prej gati 3 javësh nga FSHV. Kjo e fundit i kërkon lojtares 32-vjeçare që të bëjë testin e gjinisë, pas ankesës së dy klubeve të tjera të kampionatit.

Klubi Dinamo, përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, vijon të akuzojë FSHV-në për diskriminim. “Një kërkesë absurde dhe cënuese ndaj dinjitetit të një lojtareje me karrierë 15-vjeçare ndërkombëtare, të federuar zyrtarisht nga FIVB dhe pjesëmarrëse në kampionate të njohura në Evropë, Amerikë, Bashkimin Europian dhe madje edhe në vendet e Lindjes së Mesme”, thuhet në deklaratë.

Klubi publikon një listë parregullsish të kryera nga FSHV: “Ne kërkojmë reflektim prej saj dhe kemi shprehur në mënyrë të argumentuar qëndrimin tonë se veprimet dhe vendimet e ndërmarra lidhur me rastin në fjalë:

1-janë të pabazuara ligjërisht dhe tejkalojnë kompetencat statutore të Bordit të FSHV-së;

2-janë marrë në shkelje të procedurave, pa garanci për konfidencialitetin dhe privatësinë e sportistes;

3-cenojnë dinjitetin dhe integritetin personal të sportistes dhe të klubit;

4-mbështeten në një arsyetim të papranueshëm, sipas të cilit, për shkak se kampionatet ndahen në “meshkuj” dhe “femra”, federata mund të urdhërojë analiza për përcaktimin e gjinisë;

5-legjitimojnë një praktikë të papranueshme, si moralisht ashtu edhe ligjërisht: hetimin e një sportisteje për “verifikim gjinor” mbi bazë thashethemesh, në funksion të një qëllimi të dukshëm për ta dekurajuar sportisten dhe dëmtuar klubin Dinamo;

6-dhe nxisin gjuhën e përjashtimit e të urrejtjes në sport.

Më tej, deklarata vijon: “Klubi Dinamo shpreh vlerësim për angazhimin publik të FSHV-së, e cila në deklaratën e saj thekson se “do të veprojë me transparencë të plotë në çdo hap të ndërmarrë gjatë këtij procesi”. Besojmë dhe shpresojmë që ky zotim të materializohet në vijim, si mënyra më e mirë për të rikuperuar mungesat e deritanishme të transparencës dhe shkeljet e rënda që kanë shoqëruar trajtimin e këtij rasti”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit