Për Novak Djokovic duket se tashmë nuk ka më asnjë shans të fitojë ndonjë grand slam. Për të dytin vit me radhë, 4 turnetë më të mëdhenj të tenisit u ndanë mes italianit Jannik Sinner dhe spanjollit Carlos Alcaraz (nga dy secili).
Udhëtimi i serbit, fitues i 24 grand slam në karrierë, po ndalet thuajse gjithnjë në gjysmëfinale, kur humbet ndaj njërit apo tjetrit. “Këta djem janë të fortë dhe luajnë në një nivel vërtet të lartë”, tha Novak Djokovic.
“Jam i kënaqur me nivelin tim, për moshën time, por tani është një çështje fizike. Unë nuk heq dorë nga fitimi i një tjetër grand slam”, tha serbi, aktualisht numri 4 në botë.
Ai ka objektiva të qarta për të ardhmen: “Do të vazhdoj të luftoj për të arritur një finale tjetër dhe për të fituar një titull tjetër, edhe nëse e di se kjo do të jetë një detyrë shumë e vështirë”.
Lidhur me angazhimet e tij të ardhshme, Djokovic vazhdoi: “Australia është shumë larg. Në këtë pikë të karrierës sime, nuk po mendoj aq larg. Do të luaj në Athinë, kjo është e sigurt, por përtej kësaj, ku do të shkoj dhe çfarë do të bëj janë ende dy pyetje të mëdha.”






