Drama e Hulk Hogan, legjenda e WWE nuk ndjen më këmbët, rrezikon të paralizohet

1 Shkurt 2023
13:56
Telesport
back button

Hulk Hogan, një nga legjendat e “wrestling” dhe WWE-së nuk po kalon një moment të mirë. Miku i tij i vjetër i ringut, Kurt Angle, ka zbuluar një sekret të personazhit të njohur dhe të dashur nga miliona fansa. “Nervat e pjesës së poshtme të trupit të Hulk janë të prera. Ai nuk arrin të ndjejë asgjë në pjesën e poshtme të trupit”, tha Kurt Angle.

Ai tregon se e ka parë Hulk të ecë me një shkop: “Nuk ka asnjë dhimbje dhe nuk ndjen asgjë. Më vjen vërtet shumë keq, pasi këtij biznesi i ka dhënë zemrën, mëndjen e shpirtin dhe e gjithë kjo lodhje e ka përpirë”.

Hera e fundit që Hulk Hogan ka dalë në publik ka qenë 23 janari, në një mbrëmje përkujtimore të 30-vjetorit të “Monday Night Raw”, emisioni më jetëgjatë e WWE-së. “Hulk nuk i ndjen më këmbët dhe gjithçka erdhi pas një operacioni në shpinë, që nuk shkoi ashtu si duhet”, tha më tej Kurt Angle.

Për pasojë, Hulk Hogan rrezikon të përfundojë në një karrige me rrota. Ai është një nga legjendat e WWE-së, simbol i këtij sporti në vitet ’80 e ’90, ku ka një karrierë të gjatë e të lavdishme. Më 11 gusht ai do të mbushë 70 vjeç, ndërkohë që gjatë jetës së tij ka kryer rreth 25 operacione.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit