Duka jep lajmin e madh: Shqipëria dhe Serbia, kërkesë UEFA-s për të mikpritur “Euro 2027”

9 Maj 2024
12:26
Alfred Lleshi
back button

Pas finales historike të edicionit të parë të “Conference League” (25 maj 2022), ku u përballën Roma e Jose Mourinhos dhe Feynoord, me shumë gjasa, Shqipëria do të jetë mikpritëse edhe e Kampionatit Europian U-21.

Natyrisht, jo e vetme, por në partneritet me Serbinë, sepse veçmas nuk i plotësojnë kushtet infrastrukturore për një kompeticion të tillë kontinental. Kërkesa me dokumentacionin përkatës është dorëzuar tashmë në UEFA, ndaj pritet vendimi i qeverisë europiane të futbollit, ku Armand Duka (kreu i FSHF-së) është zv.president.

Ka qenë pikërisht ky i fundit, ai që e ka zbuluar këtë aspiratë ambicioze sportive të vendit tonë për finalet e Europianit U-21 të vitit 2027: “Këkesa jonë është depozituar tashmë në UEFA. Pa dyshim që kjo kërkon një angazhim të madh jo vetëm të FSHF-së, por edhe të qeverive respektive të dy vendeve që e kanë bërë si kërkesë.

Duhet të krijojmë disa komunikime, të krijojmë disa lehtësira, që ta bëjmë të mundur këtë. Përpjekja e parë është që ta fitojmë këtë të drejtë nga UEFA, e dyta ka të bëjë me organizimin. Unë nmendoj se ky do të ishte lajm i mirë për futbollin shqiptar, për futbollin serb, për dy popujt tanë.

Në fund të fundit, pse jo, edhe nëpërmjet sportit, të mos kemi bashkëpunim me Serbinë. Futbolli i bashkon popujt, vendet, do të ishte festë e vërtetë për shqiptarët dhe serbët ta organizonin një event të tillë kontinental”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit