Çfarë ndodhi vërtet tek Interi, para finales së Champions League kundër PSG-së? Një përgjigje të qartë nuk ka, dhe ndoshta nuk do të vijë kurrë, por Denzel Dumfries, në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” pranon se zërat mbi të ardhmen e Simone Inzaghit kishin hyrë edhe brenda dhomave të zhveshjes zikaltër.
Asnjë justifikim, sigurisht. Madje, holandezi thekson se grupi ishte tërësisht i përqendruar vetëm te sfida ndaj PSG-së. Në të njëjtën kohë, lojtarët e Interit lexonin zërat sipas të cilëve trajneri i tyre ishte shumë pranë një aventure të re.
Dumfries mohon që këto zëra të kenë ndikuar tek Interi, por pranon: “Lexonim… Dëgjonim zëra, që i mbanim brenda nesh. Nuk flisnim mes nesh për këtë, sepse secili ishte i përqendruar vetëm te finalja. Ju siguroj që në mendjen tonë ekzistonte vetëm PSG-ja dhe asgjë tjetër”.
Holandezi nuk e fsheh lidhjen e fortë mes skuadrës dhe Inzaghit: “Ndarja ka qenë shumë e vështirë për mua dhe për të gjithë. Erdhi tek Interi bashkë me mua, gjithçka që kam ndërtuar këtu ka qenë me të. Katër vite si një familje. Për këtë arsye largimi i tij ishte fundi i një cikli, që nuk është thjesht futboll, por edhe jetë. Jeta është kështu, gjithmonë ecën përpara dhe të jep stimuj të rinj”.
Dumfries ndalet edhe te finalja e Mynihut: “Është shumë e vështirë për t’u pranuar, por ndodh në një finale: ose fiton, ose humbet. Sigurisht, ne e humbëm keq, 5-0, por PSG ishte skuadra më e mirë dhe ajo ditë, 31 maji, nuk ishte dita jonë. Humbnim duelet, ishim gjithmonë me vonesë aty ku zakonisht jemi gati. Sezonin tjetër do të kemi një tjetër mundësi, mendoj se kemi gjithçka për të provuar sërish. Tani bota e di që Interi është i aftë të arrijë në finale, hapi tjetër do të jetë të tregojmë se mund ta fitojë Champions-in. Është hapi i fundit, më i vështiri, sepse në nisje ka ende skuadra më të forta se ne, por është një hap që duhet dhe duam ta bëjmë”.
Në fund, holandezi mirëpret ardhjen e Chivu në pankinën e Interit: “Tashmë është parë se është trajner vërtet shumë i mirë, me një staf shumë të aftë. Sigurisht, do të ndryshojnë disa gjëra, por është e rëndësishme edhe për ne lojtarët të marrim energji dhe ide të reja. Janë më tepër përshtatje, sepse në katër vite kemi krijuar një mënyrë tonën të lojës me Inzaghin, që ka sjellë rezultate të shkëlqyera. Ndoshta do të luajmë pak më të avancuar, por klima është shumë pozitive, sepse Chivu është shumë i aftë të shpjegojë gjithçka”.







