Dy muaj pasi u shpall kampion i padiskutueshëm, Usyk rrezikon të dorëzojë një tjetër titull

19 Korrik 2024
10:16
Telesport
back button

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk, që dy muaj më parë mundi Tyson Fury dhe u bë kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë, duke marrë të gjithë titujt, tashmë rrezikon t’i dorëzojë një e nga një disa nga titujt. Pasi nxori vakant titullin e kategorisë IBF, së shpejti edhe një tjetër titull mund të ketë të njëjtin fat.

Bëhet fjalë për titullin e kategorisë WBO, që gjithashtu mund t’i hiqet boksierit të pamposhtur ukrainas. Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë Joseph Parker fitoi pak kohë më parë titullin e përkohshëm në këtë kategori (mundi Zhilei Zhang) si dhe të drejtën të duelojë për titullin e kësaj kategorie ndaj Usyk.

Por Usyk ka rënë dakord që të zhvillojë revanshin me Tyson Fury në fund të këtij viti, ndaj WBO mund të vendosë që t’i heqë titullin ukrainasit. Jo vetëm kaq, por edhe WBA ka ngritur zërin se mund t’i heqë titullin Usyk, me Mahmoud Charr që mban titullin “WBA regular” dhe mund të mandatohet për duelin me ukrainasin.

E vetmja kategori që nuk ka probleme është WBC, që është dakord me revanshin, duke qenë se Fury e ka mbajtur këtë titull dikur dhe meriton të duelojë sërish për ta fituar atë. Tashmë do të shihet se si do të rrjedhin ngjarjet me Oleksandr Usyk, që rrezikon të dorëzojë një e nga një titujt e fituar në pamundësi për t’i mbrojtur ato.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit