E pabesueshme në Spanjë: infarkt në tribunë, arbitri nxjerr kartonin e kuq

5 Maj 2024
12:18
Denis Hakanaj
back button

Po shkakton shumë debate ajo që ka ndodhur në ndeshjen e luajtur në Segunda Division spanjolle mes Racing Santander dhe Elche, e mbyllur me rezultatin 3-1 për vendasit.

Në minutën e 93-të, Inigo Sainz-Maza është ndëshkuar me karton të kuq në mënyrë të pabesueshme sepse i ka kërkuar arbitrit të ndërpresë ndeshjen për shkak se një tifoz ishte keq në tribunë.

Gjatë pjesës së dytë, një tifoz ka pësuar dy arreste kardiake. Një situatë që ka gjeneruar shqetësim të madh në tribunë dhe që ka shtyrë mjekun e Racing Santander, Jose Fernandez Divar, të ndërhyjë për të ndihmuar 58-vjeçarin.

Në gjithë këtë ndeshja nuk është ndërprerë sepse nuk ekziston një protokoll specifik për situata të tilla. Inigo Sainz-Maza, futbollist i Racing Santander, i është afruar arbitrit për t’i kërkuar që të ndalë ndeshjen.

Pas një diskutimi në dukje të qetë, arbitri Gonzalez Esteban ka vendosur ta ndëshkojë me karton të kuq futbollistin.

Kartoni i kuq i nxjerrë nga arbitri ka shkaktuar befasi mes të gjithë të pranishmëve. Në fund të ndeshjes, në raportin e arbitrit, kartoni i kuq është shpjeguar kështu:

“Në minutën e 90-të; lojtari (6) Inigo Sainz-Maza; është ndëshkuar me karton të kuq për arsyen pasuese: sepse u ngrit nga stoli dhe doli nga zona teknike duke i kërkuar arbitrit të katërt të ndalte ndeshjen me këmbëngulje për shkak të një ndërhyrje mjekësore në shkallët e stadiumit.

“Kur loja ndalej vazhdonte të qëndronte jashtë zonës teknike pa dëgjuar atë që i thuhej”.

Një shpjegim që nuk ka qenë bindës, duke parë se lojtari ka folur më të deleguarin e kampionatit dhe jo me arbitrin e katërt në momentin që u ndëshkua me kartonin e kuq.

Në gjithë këtë lajmi i mirë ka të bëjë me gjendjen e tifozit që është ndier keq në tribunë. Pasi është transportuar në spital, tifozi e ka rimarrë veten dhe nuk është më në rrezik për jetën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit