Trajneri me përvojë Edy Reja analizoi për “Messaggero Veneto” finalen e Kupës së Botës, të fituar nga Spanja ndaj Argjentinës. “Pashë një Spanjë të madhe, që dominoi nga fillimi në fund. De la Fuente arriti ta shndërrojë në skuadër një grup me shumë kampionë. Është bukur t’i shohësh të luajnë në harmoni, të gjithë në funksion të kolektivit. Krejt e kundërta e Argjentinës, ku ishte Messi dhe shokët e skuadrës luanin në funksion të tij”, – u shpreh Reja, ish-trajneri ynë kuqezi.
Duke komentuar qasjen e Argjentinës, ai shtoi: “Edhe ndaj Anglisë u përpoqën t’i frikësonin kundërshtarët, por ndaj Spanjës nuk e kapnin dot topin. Enzo Fernández kishte marrë tashmë karton të verdhë, çfarë kuptimi kishte ai faull i pakuptimtë? Që nga ai moment gjithçka u bë më e lehtë për Spanjën. Megjithatë, nuk besoj se Scaloni mund të bënte shumë më tepër. Në fund humbi 1-0 pas kohës shtesë. Unë vetëm mund ta përgëzoj për rrugëtimin që e çoi te një Kupë Bote dhe dy ‘Copa América’ të fituara”.
Në fund, Reja komentoi edhe vendimin e Scalonit për ta lënë Lautaro Martínez në stol gjatë gjithë 120 minutave: “Që nga faza e 1/8-ve ai zgjodhi Julián Álvarezin dhe, kur një trajner beson te një ide, zakonisht e ndjek deri në fund. Është e vërtetë që Argjentina pati shumë vështirësi në sulm, por në 5 minutat e fundit të kohës shtesë krijoi gjithsesi dy raste për të barazuar”.







