“Si golashënues, do të thoja se jam ndër më të mirët, por besoj se Harry Kane dhe Kylian Mbappé kanë shënuar më shumë gola se unë këtë sezon. Kështu që, statistikisht, jo, nuk jam më i miri. Ky është realiteti”, – pranoi Erling Haaland pas dopietës kundër Irakut (4-1).
Megjithatë, statistikat e përgjithshme tregojnë të kundërtën. Haaland duket i pandalshëm. Sulmuesi i Manchester City eliminoi Brazilin (2-1) në fazën e 1/8-ave me një tjetër dopietë, duke ndezur garën për “Këpucën e Artë”. Messi kryeson renditjen e golashënuesve të Botërorit me 8 gola, pastaj vijnë Haaland dhe Mbappé me nga 7 gola secili, ndërsa Harry Kane i ndjek me 6 gola.
Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, tre futbollistë arrijnë shifrën e së paku 7 golave në të njëjtin edicion. Në rastin e Haaland, shifrat me Norvegjinë janë edhe më mbresëlënëse. Ai ka mesatare mbi një gol për ndeshje, me 62 gola në vetëm 54 paraqitje.
Mesatarja e tij prej 1.14 golash për ndeshje nuk është arritur nga asnjë futbollist tjetër që ka shënuar të paktën 60 gola me kombëtaren. Vetëm Ferenc Puskás, me 84 gola në 85 ndeshje për Hungarinë, dhe Kunishige Kamamoto, me 75 gola në 76 ndeshje për Japoninë, iu afruan një mesatareje prej një goli për ndeshje (0.99).
Pas tyre renditen Ali Mabkhout (0.74), Ali Daei (0.73), Romelu Lukaku (0.71) dhe Harry Kane (0.71). Mesatarja e Cristiano Ronaldos (0.63) dhe Lionel Messit (0.61), golashënuesit më të mirë në historinë e kombëtareve me respektivisht 146 dhe 124 gola, mbetet dukshëm më e ulët se ajo e Haaland.
Lionel Messi, Kylian Mbappé and now Erling Haaland.
All three players sit on seven goals at the 2026 FIFA World Cup – what a race for the Golden Boot. pic.twitter.com/TFnQHyfGtd
— Opta Analyst (@OptaAnalyst) July 5, 2026
Edhe në nivel klubesh situata është e ngjashme. Vetëm Haaland i afrohet një goli për ndeshje, me 359 gola në 418 ndeshje (0.85). Te Salzburgu shënoi 29 gola në 27 ndeshje, te Borussia Dortmund realizoi 86 gola në 87 takime, ndërsa te Manchester City ka grumbulluar 162 gola në 198 sfida.
Ai lë pas edhe golashënuesit më të mëdhenj të viteve të fundit. Messi ka 918 gola në 1.160 ndeshje (0.79), Mbappé 432 gola në 574 takime (0.75), Cristiano Ronaldo 971 gola në 1.323 ndeshje (0.73), Robert Lewandowski 718 gola në 1.036 takime (0.69), ndërsa Harry Kane 527 gola në 766 ndeshje (0.68).
Haaland ka barazuar gjithashtu Zlatan Ibrahimović si golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtareve nordike me 62 gola, por e ka bërë këtë në 68 ndeshje më pak: 54 kundrejt 122.
“Nuk e di si e bëj, por nëse kam një ose dy raste, zakonisht përfundojnë në gol. Po filloj ta kuptoj se është një dhuratë nga Zoti që topi përfundon pikërisht pranë shtyllës. Është çmenduri”, – tha “Cyborgu” pas dy golave ndaj Brazilit.
Duke perifrazuar fjalët që Fernando Hierro tha dikur për Raúl, Haaland është një “Ferrari” që rrezikon t’i lërë të gjithë pas dhe tani synon të eliminojë Anglinë në çerekfinale.
“Vazhdojmë përpara. Shpresoj që të gjithë të rinjtë, kur të rriten, ta konsiderojnë të luajturit për Norvegjinë si krenarinë më të madhe të jetës së tyre. Kjo është një nga ditët më të jashtëzakonshme në historinë e futbollit norvegjez”.







