Sot në mbrëmje do të luhet finalja e Europa League, ku përballë njëra-tjetrës janë dy skuadra angleze, Tottenham dhe Manchester United. Dy ekipe që kanë zhgënjyer në Premier League dhe që e shohin këtë finale si një “barkë shpëtimi” për të fituar diçka dhe kualifikuar direkt në Champions League sezonin tjetër.
Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, foli për “Sky Sports” në prag të kësaj finaleje shumë të rëndësishme: “Jam shumë krenar që jam kapiten i Manchester United, por është gjithashtu një përgjegjësi e madhe. Si fëmijë, ju ëndërroni të fitoni trofe dhe të ngrini kupën me fanellën e United do të ishte diçka e pabesueshme”.
“Gjithmonë ka diçka që mund të bëni për të ndihmuar shokët tuaj të skuadrës. Ne duhet të përqendrohemi në mënyrën se si mund të kontribuojmë të gjithë së bashku për të ndihmuar ekipin të dalë nga situata në të cilën jemi”, deklaroi më tej Bruno Fernandes
Më tej, portugezi shtoi: “Në Premier League gjërat nuk shkuan ashtu siç donim, por në Europa League patëm një ecuri të shkëlqyer. Tani na duhet zemër dhe vendosmëri. Në ndeshje si këto, ato janë thelbësore për të fituar trofe”.
“Çdo ndeshje është e rëndësishme, por kjo është edhe më e rëndësishme se të tjerat sepse të çon në Champions. Vitin e kaluar pata nderin të ngrija Carabao Cup dhe do të doja ta përsërisja këtë gjë me trofeun e Europa League”, deklaroi Bruno Fernandes.







