Disa ditë pasi Gerry Cardinale mbërriti me helikopter në “Milanello” për të pritur personalisht Ruben Amorim, trajnerin portugez të Milanit, Paulo Fonseca ka shprehur zhgënjimin e tij në një intervistë për “SportWeek”: “Pashë që Amorim mbërriti në Milanello dhe aty ishte vetë Cardinale për ta pritur. Kur shkova unë, krejt në të kundërt, nuk ishte askush. Më kishin zgjedhur për të ndryshuar mentalitetin e skuadrës. Nuk më dhanë kohën e nevojshme, por kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira. Pas largimit tim kjo nuk ndodhi më”.
Trajneri aktual i Lyon pranoi se mbeti i zhgënjyer për mënyrën si përfundoi aventura e tij te Milani: “Po, jam i zhgënjyer, sepse dy vite më parë më thirrën për një arsye të qartë; të ndryshoja stilin e lojës së ekipit. Klubi më tha: ‘Duam që Milani të bëhet dominues, të mbajë topin dhe të luajë në gjysmën e fushës së kundërshtarit’. U përgjigja se ishte pikërisht ideja ime për futbollin. E vërteta është se për të ndryshuar duhet kohë dhe të luash një futboll të tillë në Itali nuk është e lehtë. Së pari duhet të ndryshosh mentalitetin e lojtarëve. Mund t’ju dukem arrogant, por isha në rrugën e duhur dhe, pas largimit tim, nuk e kam parë më Milanin të shprehë cilësinë e lojës që kishte me mua në stol”.
Në fund, Fonseca komentoi edhe marrëdhënien e vështirë që pati me disa nga figurat kryesore të dhomave të zhveshjes, si Theo Hernandez dhe Rafael Leão, të cilët u lanë jashtë në ndeshjen ndaj Lazios për shkak të angazhimit të pamjaftueshëm në fazën mbrojtëse ndaj Parmës dhe më pas u bënë protagonistë të “rebelimit” të famshëm gjatë “cooling break” në “Olimpico”: “Në Itali, shpesh lojtarët kanë më shumë peshë se vetë klubi. Nëse dikush, sado i fortë të ishte, nuk e meritonte të luante, me mua nuk luante, sepse askush nuk është më i madh se Milani”.







