Frikë për Mbappé, ai është shtruar në spital në SHBA. Lajmin e ka bërë zyrtar vetë Real Madridi përmes një komunikate zyrtare: “Lojtari ynë Kylian Mbappé vuan nga gastroenteriti akut dhe është shtruar në spital për kontrolle e trajtime të ndryshme”.
Mbappé mungoi në ndeshjen e parë të Real Madridit kundër Al-Hilal të Simone Inzaghit (1-1), ndërsa tani prania e tij është shumë në dyshim edhe për ndeshjen e dytë kundër meksikanëve të Pachuca.
Siç raporton “Marca”, Mbappé ishte goditur nga një krizë e fortë febrile, që e kishte detyruar të qëndronte i izoluar në dhomën e tij të hotelit në Miami, për të shmangur rrezikun e përhapjes së infeksionit. Ai ka pasur edhe vështirësi për të ngrënë, duke ndjekur një dietë të lehtë me fruta dhe pije energjike.
“Ka pasur një infeksion viral mjaft serioz. Do të shohim në ditët e ardhshme nëse do të mund të rikuperohet”, – shpjegoi Xabi Alonso pas ndeshjes kundër Al-Hilal. “Kishte një të ftohtë të fortë, mendoj se nuk ka dalë asnjëherë nga dhoma e hotelit”, – shtoi pas ndeshjes edhe shoku i tij i skuadrës, Federico Valverde.
Tani, shtrimi në spital për trajtimet dhe kontrollet e nevojshme. Ky Botëror për Klube, deri tani nuk ka qenë aspak me fat për yllin francez. Sidoqoftë, gjatë natës, Mbappé është larguar nga spitali dhe është rikthyer në kampin stërvitor. Ai do të vazhdojë të marrë trajtim specifik mjekësor dhe gradualisht do të kthehet në aktivitetin e ekipit.







