Pasi përfundoi mandatin e tij të jashtëzakonshëm si trajner i Manchester City, trajneri Pep Guardiola po shijon një periudhë pushimi në Katalonja. Trajneri ka zgjedhur të ngadalësojë ritmin dhe t’i përkushtohet pasioneve dhe angazhimeve jashtë futbollit.
Ditët e fundit, ai është parë duke luajtur golf dhe duke marrë pjesë në ngjarje kulturore, përfshirë një koncert nga The Cure, përpara se të merrte pjesë në inaugurimin e një fushe të re të Fondacionit Cruyff në Shkollën La Salle në Manresa, ku ai studioi si djalë.
Në këtë ngjarje, trajneri katalanas u pyet nga media spanjolle në lidhje me të ardhmen e tij profesionale. Me tonin e tij të zakonshëm ironik, Guardiola bëri shaka për një karrierë të re të mundshme.
“Do të kthehem te studimet në La Salle, ku shkova si fëmijë, dhe do të bëhem mësues“, tha ish-trajneri i “citizens”. Më pas foli për mundësinë e një pune si trajner i ekipit kombëtar spanjoll ose një ekipi tjetër kombëtar, por ai mbeti i kujdesshëm.
“Për momentin, dua të qëndroj këtu për një kohë dhe të shoh se çfarë rezervon e ardhmja. As unë nuk e di se çfarë do të ndodhë“, deklaroi Guardiola.







