Haaland mendon për të ardhmen, dilema që vjen nga mospëputhja taktike me Guardiolën

4 Maj 2024
9:07
Alfred Lleshi
back button

A mund ta kritikoni një lojtar që në moshën 23-vjeçare shënon mesatarisht një gol për ndeshje në të gjitha garat, ku ka marrë pjesë? Pas eliminimit të Manchester City nga Champions League, në bankën e të akuzuarve është futur Erling Braut Haaland, autor i dy paraqitjeve “pa ngjyrë” kundër Real Madridit.

Krahasuar me një vit më parë, shifrat e tij janë padyshim në rënie, edhe falë dëmtimit që e mbajti jashtë fushave për dy muaj: 32 gola në 40 ndeshje, “vetëm” 6 gola në Champions League, ku ka shënuar tashmë 41 herë në 39 paraqitje.

Sezonin e kaluar e përfundoi me një grumbullim të jashtëzakonshëm prej 52 golash në 53 ndeshje të luajtura, 12 në kompeticionin më të mirë evropian, pavarësisht se nuk shënoi as në gjysmëfinale (përsëri kundër Real Madridit) dhe as në finale kundër Interit.

Shpesh pyesim veten nëse ky është një kufizim që vjen nga trajneri Guardiola për ish-sulmuesin e Borussia Dortmundit. Shpesh është folur për papajtueshmërinë “taktike” mes të dyve: Haaland, pavarësisht performancës së tij të jashtëzakonshme, nuk është në të vërtetë tipi i një qendre, sulmues që pëlqen Guardiola.

Sipas “Manchester Evening News”, sulmuesi norvegjez ka thënë se dëshiron të vazhdojë të punojë me trajnerin spanjoll, të cilin e konsideron “me të vërtetë të veçantë”. Haaland dëshiron ta mbyllë sezonin me nota të larta, duke e çuar Manchester City drejt titullit të Premier League në fund të këtij kampionati. Arteta dhe Arsenali janë të paralajmëruar…

Pas “rrjetës” kundër Nottingham Forest, “roboti” skandinav është gati të shënojë gola të tjerë të rëndësishëm. Njeriu i duhur në kohën e duhur, Manchester City me të synon të mbajë kurorën e kampionit dhe skeptrin e Premier League.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit