Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, është në sezonin e tij të dytë te Bayern Munich, ku po shkëlqen e po shënon shumë. 31-vjeçari është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares angleze me 69 gola dhe nuk tregon shenja ngadalësimi. Ai do të udhëheqë kombëtaren ne “3 luanëve” drejt një misioni të rëndësishëm kualifikimi për në Kupën e Botës 2026, nën drejtimin e Thomas Tuchel.
Ky rrugëtim nis sonte me ndeshjen hapëse të fazës kualifikuese, atë kundër Shqipërisë, në stadiumin “Wembley”. Pavarësisht rekordit të tij mbresëlënës të golave në dy sezonet e fundit, Kane kritikohet shpesh për paraqitjet e tij.
“Unë kam shënuar 69 gola dhe kur shënon kundër Shqipërisë ose Letonisë, apo kundër këtyre skuadrave, njerëzit thjesht e presin të shënoj, kështu që nuk flitet aq shumë. E marrin si të mirëqenë golin. Këtë e kam parë me disa lojtarë të tjerë teksa mbushin të 30-at”, u shpreh Harry Kane.
“Ndoshta njerëzit mërziten pak nga ajo që bëj, por sigurisht që unë nuk jam i mërzitur. Jam i emocionuar për këto kualifikuese dhe ndeshjet në vazhdim”, tha më tej sulmuesi anglez. Golat e Kane këtë sezon për Bayern e kanë çuar atë në prag të titullit të Bundesliga dhe në çerekfinale të Champions League.
Gjithsesi, kjo nuk e ka bërë atë imun ndaj kritikave: “Ndonjëherë më motivon. Ndonjëherë, të jem i sinqertë, përpiqem t’i qëndroj sa më shumë që mundem. Kur isha i ri kam dëgjuar më shumë se çfarë bëj tani. Në fund të fundit, unë e kritikoj veten më shumë se çdokush nga jashtë, por gjithmonë e përdor atë si lëndë djegëse për t’u treguar njerëzve se e kanë gabim”.
“Në ndeshjen e sotme ndaj Shqipërisë, ndihem sikur ka një ndryshim të tillë midis një niveli të lartë dhe të ulët. Ju kaloni nga mosshënimi për disa ndeshje te njerëzit që thonë se ai nuk është mjaftueshëm i mprehtë. Më pas shënon dhe bëheni pretendent për Topin e Artë. Diferenca është shumë e lartë dhe shumë e ulët. Unë e di se çfarë kam bërë në karrierën time dhe kam arritur të shënoj shumë”, deklaroi Harry Kane.







