Henry bën sërish “avokatin” e skuadrës së Ancelottit: Nuk është fat, quhet Real Madrid. Pikë…

10 Maj 2024
10:25
Alfred Lleshi
back button

Real Madridi u rikthye edhe një herë në finalen e Ligës së Kampionëve dhe këtë e bëri falë një dygolëshi të Joselu në fund të ndeshjes së të mërkurës në “Bernabeu”. Disa thanë se ishte fat, por Thierry Henry nuk është aspak dakord. Ish-sulmuesi i Juventusit, Monacos, Arsenalit, Barcelonës dhe New York Red Bulls, drejtpërdrejt në CBS, shprehu mendimin e tij:

“Nuk ka fat në atë që ndodhi. Quhet Real Madrid, pikë. Duhet t’i njihet merita Vinicius, kishte momente në të cilat asnjë nga ‘Los Blancos’ nuk e donte topin. Megjithatë, nuk mund të biesh në gjumë me brazilianin në fushë. Dhe Bayern Munich e provoi në kurriz këtë”.

Kujtojmë se gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve mes Real Madridit dhe Bayern Munich kishte përfunduar me barazimin 2-2 në “Allianz Arena”, ndërsa kthimi i pa bavarezët në epërsinë minimale, derisa hyri në fushë Joselu, në minutën e 81-të.

Sulmuesi në fjalë shënoi dy herë brenda pesë minutave dhe siguroi përmbysjen dramatike për të tijtë, si dhe finalen e madhe të “Wembley”, më 1 qershor, ku trofeu i shumëlakmuar do të diskutohet mes “Los Blancos” dhe Borussia Dortmundit.

Thierry Henry e kishte marrë në mbrojtje Real Madridin edhe pas qasjes tërësisht mbrojtëse në “Etihad Stadium”, ndaj Manchester City, këtë edicion: “Në futboll ekziston një gjë që quhet mbrojtje. Ju gjithashtu mund ta kontrolloni lojën duke u mbrojtur mirë, është pjesë e këtij sporti.

E di që njerëzit do të thonë se Manchester City është skuadra më e mirë, se ishte më mirë se Real Madridi, por mbrojtja është pjesë e lojës. Dhe Real Madridi u mbrojt shumë mirë. Mendoj se skuadra më e mirë, ajo që u mbrojt më së miri, arriti në gjysmëfinale”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit