Hoxha: Do të japim gjithçka ndaj Serbisë, kjo ndeshje vlen shumë për “play-off”

4 Qershor 2025
12:38
Alfred Lleshi
back button

Në prag të dy sfidave kyçe kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ku Shqipëria do të përballet me Serbinë në Tiranë dhe më pas me Letoninë në transfertë, sulmuesi i kombëtares kuqezi, Arbër Hoxha, u shfaq sot para mediave me një mesazh të qartë dhe vendosmëri të madhe. Ai nënvizoi se pavarësisht zhurmës dhe emocioneve që i rrethojnë këto ndeshje, vëmendja kryesore e ekipit është e përqendruar vetëm te fusha dhe objektivi madhor: kualifikimi në Botërorin e ardhshëm.

Duke folur për sfidën ndaj Serbisë, Hoxha e pranoi se ndeshja është mjaft e rëndësishme dhe kërkon përqendrim maksimal, por theksoi gjithashtu besimin që ai dhe shokët e skuadrës kanë në vetvete dhe në grupin kuqezi. Ai u shpreh qartë: “Do të jetë një sfidë e fortë, e dimë mirë se Serbia ka cilësi, por jemi të përgatitur dhe të vendosur. Besojmë fort te fitorja”.

A k marrë ndonjë kërkesë nga rrethi shoqëror?
Jemi profesionistë dhe do të luajmë në fushë. Është ndeshje e vështirë dhe mjaft emocionale.

Ka shumë interesim për bileta nga tifozët…
Po, sepse është ndeshje shumë e vështirë dhe vendos për një vend në “play-off”. Besoj se do të fitojmë të shtunën, kemi shpresa për kualifikim në Botëror.

Duket sikur jeni në balotazh me Nedim Bajramin në kombëtare…
Konkurenca të bën më të fortë, jemi këtu për të dhënë më të mirën. Ato minuta që do të na aktivizojë trajneri, do të japim më të mirën tonë.

Paskeni vënë unazë në gishtin e martesës. A është ndonjë dhuratë para Serbisë? 
Jam vetëm i fejuar, shumë shpejt do të martohem (qesh).

A e keni parë duelin e Beogradit më 2014, çfarë emocionesh përjetoni?
Unë e kam parë atë ndeshje, kishte shumë emocione në atë sfidë. Sidoqoftë, duhet të bëjmë më të mirën në fushën e lojës, të mos shpërqendrohemi nga asgjë tjetër.

Fitore me Serbinë dhe humbje me Letoninë, a do ta pranonit këtë lloj kombinimi? 
Çfarë të them, por do ta pranoja.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit