Në puntatën e dytë të emisionit “Në Shtëpinë e Futbollit”, që transmetohet çdo të mërkurë live në FSHF TV, u diskutua gjerësisht për fitoren 0-1 të Kombëtares shqiptare kundër Serbisë në Leskovac, me autor të golit, Rey Manajn. Të ftuar në studio ishin komentatori i njohur Alban Xhihani dhe specialisti i futbollit, Ardi Behari, të cilët analizuan paraqitjen e skuadrës tonë në këtë ndeshje të rëndësishme.
Ndër të tjera, të ftuarit folën edhe për rekordin e ri të vendosur nga Elseid Hysaj, i cili tashmë është lojtari me më shumë ndeshje me fanellën kuqezi dhe për fitoren e thellë të Shqipërisë kundër Jordanisë 4-2 mbrëmë në “Air Albania”.
Për emisionin “Në Shtëpinë e Futbollit”, dy protagonistët e Kombëtares në dy sfidat e fundit, Elseid Hysaj dhe Rey Manaj ndanë emocionet dhe momentet e tyre të veçanta me fanellën kuqezi. Manaj si autori i golit historik në Leskovac ndërsa Hysaj si lojtari rekordmen i ekipit Kombëtar.
Elseid Hysaj: Është një ëndërr. Në fillim kur kam luajtur me Kombëtaren nuk e kam menduar që mund të ngel në historinë e Kombëtares shqiptare për rekorde ndeshjesh. Tani që e arrita, është një ëndërr që plotësohet. Nuk e kisha menduar kurrë, por ja që ëndrrat arrihen.
Familja gjithmonë më ka mbështetur, e kam pritur këtë moment, pasi do të mbesë në histori. Këtë gjë do ta shohin edhe fëmijët e mi që në Kombëtare e kam lënë emrin tim dhe do të jetë për shumë kohë në regjistër.







