Interi kualifikohet me lehtësi, Lautaro hyn në histori. Inzaghi: Në 7 nga 8 ndeshjet nuk kemi pësuar gol

30 Janar 2025
8:20
Alfred Lleshi
back button

Gjithçka e lehtë, nga minuta e parë deri në të fundit. Interi e mbylli fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në vendin e katërt, i dyti me barazim pikësh me Barcelonën dhe Arsenalin, duke kaluar pa probleme 3-0 Monaco. Një ndeshje me një kah të vetëm, mes meritave të zikaltërve dhe qasjes së dobët të skuadrës nga Principata.

Lautaro në superformë. Sulmuesi argjentinas, autor i një tregolëshi, ishte protagonisti absolut i mbrëmjes. Nota 9 në vlerësim, 17 gola në Champions, që e çojnë atë të barazohet me Mazzola (17 gola në Kupën e Kampionëve). Ai ka kaluar Lorenzi-n dhe tani është golashënuesi i gjashtë më i mirë në historinë e Interit. Te Monaco ishte e vështirë të shpëtonte dikush në vlerësime.

Tani rreziku është Juventusi ose Milani. Në merkato, Buchanan pritet të largohet, ndërsa Zalewski është më pranë. Interi tani pret të mësojë kundërshtarin e tij në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Një përballje italiane është e mundur, nëse jo e pashmangshme, përndryshe do të përballet me një skuadër holandeze si PSV Eindhoven ose Feyenoord.

Në aspektin e merkatos, Tajon Buchanan do të transferohet te Villarreali në orët e ardhshme, huazim me vlerë 1 milion euro, plus opsionin e blerjes për 13 milionë. Ndërkohë, Nicola Zalewski ka refuzuar Marseille, sepse dëshiron vetëm Interin. Alternativa është Cristiano Biraghi nga Fiorentina.

Deklaratat e Simone Inzaghit – “Kemi luajtur shtatë ndeshje nga tetë pa pësuar gol, kemi luajtur mirë dhe jam krenar për atë që kanë bërë djemtë. Iu thashë këtë gjë atyre, zakonisht nuk flas, por sonte u ndala dy minuta me ta dhe i përgëzova, – pohoi trajneri zikaltër në konferencën për shtyp. – Merkato? Dimë që kemi një klub të fortë pas nesh, por ka disa kufizime. Që nga ardhja ime më 2021 më është bërë e qartë se do të kishim 3-4 vite të vështira, sepse duheshin rregulluar gjërat”.

Rreth rrugëtimit të deritanishëm në Champions: “Nuk ishte e lehtë të dilnim të dytët, në barazim pikësh me Barçën dhe Arsenalin. Në ‘top 8’ nuk kishte skuadra të vogla. Rreziku i një përballjeje të vështirë është aty, por jam i lumtur. Nuk ishte e thjeshtë ta përfundonim të dytët, me të njëjtat pikë si Barcelona dhe Arsenali. Ishte një rrugëtim i shkëlqyer.

A ishte rrezik të luanim me lojtarët kryesorë para derbit? Jo, nuk kishte asnjë rrezik. Disa lojtarë pushuan në Pragë, të tjerë në Lecce. Pavard, Barella, Dimarco, që nuk luajtën në Lecce, startuan sonte. Dua të flas për një grup të madh, që ka bërë një rrugëtim të madh.

Lautaro, tani po shënon gola? E kam thënë gjithmonë se është kapiteni ynë, nuk isha i shqetësuar kur nuk po shënonte. Sot (dje) në mëngjes, ai dhe Asllani u ndalën për të goditur penallti. Para ndeshjes biseduan dhe vendosën që, nëse do të kishte penallti, njëri prej tyre do ta ekzekutonte, pasi mungonin Calhanoglu, Taremi, Zielinski dhe Arnautovic.

Tifozët janë të emocionuar dhe mendojnë për derbin? Nuk besoj se janë kënaqur vetëm sonte. Janë tri vite e gjysmë që tifozët tanë e shijojnë futbollin e Interit. Ka pasur shumë fitore, por edhe ndonjë zhgënjim, siç ndodh në futboll”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit