Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, trajneri me eksperiencë Rafael Benitez foli për skuadrat italiane të angazhuara në Champions League: “Jam i impresionuar nga Interi, që duhet konsideruar mes të mëdhenjve. Një humbje e vetme dhe vetëm një gol i pësuar, zotërim i situatave dhe forcë mendore, çka u pa edhe te fitorja 3-0 ndaj Monaco.
Është e pamundur të mos e shohësh si një nga skuadrat favorite. Lautaro? Sulmuesit si ai nuk zhduken kurrë, përveçse ndalen pak për t’u rikarikuar. Edhe tregolëshi i fundit i tij, thjesht konfirmon atë që tashmë e dinim.
Kemi të bëjmë me një sulmues të madh, që në një skuadër kaq të fuqishme di gjithmonë si të shkëlqejë. Barella është një nga mesfushorët më të mirë, Thuram sjell më shumë opsione në sulm, Dimarco është në formë të shkëlqyer”.
Çfarë mendoni për Atalantën?
Mund të hynte mes tetë më të mirëve, do të ishte surpriza absolute, por vendi i nëntë është gjithashtu një rezultat i jashtëzakonshëm. Kjo arritje konfirmon aftësitë e Gasperinit dhe të klubit, shpërblen punën e tyre. Atalanta shkëlqeu me barazimin 2-2 në Barcelonë, edhe pse me vështirësi të shtuara për shkak të dëmtimit të Lookman.
Milani dhe Juventusi duken në krizë…
Ka pasur sinjale më herët, duke menduar për polemikat te Milani dhe për vështirësinë e Juventusit për të fituar. Këto rezultate nuk ndihmojnë në analiza të sakta. Të dyja skuadrat kanë nevojë për qetësi, për të kuptuar çfarë po i pengon projektet e tyre. Juventusi ka një distancë të madhe nga Napoli, por është vetëm disa pikë larg Lazios. Nëse një vend i sigurt në Champions League (përmes vendit të katërt) është objektivi, sado minimal të jetë, atëherë nuk duhet të ndiejë presion. Sidoqoftë, Juventusi nuk mund të kënaqet me një rol dytësor, nuk mund ta lejojë as historia e tij dhe as cilësia e skuadrës.







