Ndoshta dikush nuk e ka vënë re, sepse Interi vazhdon të jetë në vendin e tretë në renditje, në barazim pikësh me Fiorentinën dhe Lazion, me një ndeshje për ta rikuperuar ende pikërisht ndaj vjollcëve. Megjithatë, këtë sezon skuadra e Simone Inzaghi po tregon rezultate të ndryshme në ndeshjet direkte. Sezonin e kaluar, zikaltrit ishin pothuajse të pamposhtur në momentet vendimtare dhe kundër kundërshtarëve të drejtpërdrejtë, por sot nuk është më kështu.
Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, Interi e nisi mirë në gusht me një fitore të thellë ndaj Atalantës, për të vijuar me paraqitjen solide kundër Arsenalit në Champions. Megjithatë, duke u kthyer pas në rrjedhën e sezonit, mund të vihet re një sërë pikësh të humbura rrugës. Konkretisht, nga humbja në derbin ndaj Milanit, barazimi zhgënjyes me Napolin dhe rezultati tronditës 4-4 në “San Siro” ndaj Juventusit. Për të mos përmendur barazimin 0-0 në Manchester ndaj City dhe humbjen e fundit në Gjermani kundër Bayer Leverkusenit.
Simone Inzaghi ka një dilemë të re për të zgjidhur, veçanërisht përpara përballjes së afërt me Lazion e Baronit, që tashmë ka treguar se di të fitojë në çdo mënyrë. Një test maturie për Interin, që duhet të dëshmojë se disfata e dhimbshme në Leverkusen nuk do të ndikojë në ecurinë e zikaltërve në kampionat. Simone Inzaghi është i vetëdijshëm për përmirësimin e formës së skuadrës së tij. Duhet vetëm ta tregojë këtë të hënën e ardhshme në “Olimpico” (ora 20:45).







