Interi “zhvirgjërohet” në Champions, disfatë që dhemb më shumë për moralin sesa renditjen

11 Dhjetor 2024
9:09
Alfred Lleshi
back button

Interi kthehet nga Leverkuseni me humbjen e parë dhe golin e parë të pësuar në këtë Ligë të Kampionëve. Një ndalesë që dhemb më shumë për moralin sesa për renditjen, duke qenë se kualifikimi i drejtpërdrejtë për në 1/8 finale është ende fort në duart e zikaltërve. Por kjo me kushtin që të mos përsëritet më performanca zhgënjyese kundër Bayer Leverkusenit.

Humbja në tokën gjermane mund të pranohet dhe nuk është një dramë, por ajo që ndez alarmin është performanca e përgjithshme e ekipit, shumë i dorëzuar dhe i paaftë për të gjuajtur në portën kundërshtare. Inzaghi, duke marrë parasysh ndeshjet e shumta në javët e ardhshme, bëri rotacion si në ditët e mëparshme, por rezultati ishte shumë zhgënjyes dhe larg pritshmërive.

Për një natë, Inzaghi nuk ishte ai i zakonshmi dhe vendosi një mbrojtje të fortë përpara Sommerit, me një skemë të ngjashme me “catenaccio”-n e viteve 60-të. Edhe pse mbrojtja, e udhëhequr nga një De Vrij i kujdesshëm, nuk vuajti shumë, ky stil loje, me pozicionim të ulët dhe duke ua lënë topin gjithmonë kundërshtarëve, ka rreziqet e veta.

Dhe pikërisht nga një rrëmujë në fund, me një seri gabimesh dhe pakujdesish, erdhi goli që u dha gjermanëve tri pikët e merituara. Një Inter që maksimumi mund të synonte barazimin, sepse nëse nuk gjuan asnjëherë në portë, është e pamundur të shënosh.

Shumë lojtarë përfundojnë në “bankën e të akuzuarve”, as fituesit e kampionatit të yllit të dytë nuk shpëtojnë. Lautaro, në 30 minutat që luajti, konfirmoi formën e dobët. Taremi u përpoq të gjente hapësira, por nuk gjuajti kurrë në portë. Thuram shëtiti në fushë pa ndonjë ndikim dhe pa ato shpërthimet e tij të zakonshme.

Keq edhe mesfusha: Frattesi dhe Zielinski janë vite drite larg nga Barella në formën e këtij të fundit më të mirë (edhe ai ishte i dobët kur hyri) dhe nga Mkhitaryan, i cili mbeti në stol për të pushuar. Pa armenin, Interi është një tjetër ekip, më pak i qartë dhe më pak i rrezikshëm. Keq edhe krahët (sidomos në të majtë, me Carlos Augusto fillimisht dhe më pas Dimarco), ndërsa vetëm De Vrij, Sommer dhe Bisseck arritën notën kaluese.

Tani Liga e Kampionëve ndalet deri në janar, më pas rifillon me një transfertë në Pragë kundër Sparta dhe përfundon në “San Siro” kundër Monakos. Me 6 pikë të tjera, 1/8 finale janë të garantuara, ndoshta edhe me 4 pikë. Me kusht që të shohim një Inter krejtësisht ndryshe për sa i përket qëndrimit dhe lojës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit