Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello ka komentuar situatën tek Interi dhe strategjinë e rotacionit të Simone Inzaghi: “Tani ka qenë i detyruar ta bëjë këtë për shkak të dëmtimeve, por në përgjithësi mendoj se rotacioni duhet aplikuar gjithmonë me kujdes dhe jo në mënyrë të tepruar, siç i ka ndodhur Inzaghit në të kaluarën.
Sidomos në Champions League, ku ndoshta ai mendonte se do të ishte më e lehtë. Është e nevojshme të zëvendësohen lojtarët, kjo është e vërtetë, por gjithmonë brenda një grupi që ruan identitetin e tij. Dhe identitetin e japin vetëm lojtarët kryesorë.
A ka lojtarë që nuk duhet hequr nga fusha? Nuk do të thoja kështu, por gjithashtu është e vërtetë që i vetmi që ndaj Bologna ka luajtur si lojtar i Interit, me intensitet të plotë në të gjithë fushën, ishte Barella. Lautaro dhe Thuram bënë pjesën e tyre, Dumfries vrapoi shumë, por gjithçka në mënyrë sporadike dhe pa vazhdimësi.
Gara e kreut dhe titullit me Napolin? Duhet krenari, duhet të luash me dëshirën e duhur. Ndoshta sot kemi dyshime për rezervat e Interit, por me kalimin e kohës, këto lojtarë mund të na bëjnë të ndryshojmë mendim.
E megjithatë, unë nuk kuptoj një gjë… Nuk e kuptoj pse Frattesi nuk luan tek Interi. Është një lojtar që ndryshon ritmin, që shënon shpesh gola dhe është titullar në kombëtare. Unë do t’i kisha dhënë më shumë besim. Për mua, një lojtar i tillë mund të luajë nga fillimi edhe në këtë skuadër”.
Interi dhe forma aktuale: “Mbështes mendimin se Interi i vërtetë ishte ai që pamë në fund të pjesës së parë kundër Milanit, para se të pësonte përmbysjen. Në përgjithësi nuk po luan më me intensitetin me të cilin na kishte mësuar. Në këtë fazë të kampionatit është më pasiv, ndaj duhet të reflektojë përse po ndodh kjo”.
Dueli me Napolin: “Që Napoli të jetë skuadra më e freskët dhe më e rrezikshme nuk ka asnjë dyshim. Në fakt, forca e Contes nuk qëndron te pushimi, por te ekuilibri dhe fakti që skuadra nuk pëson gola. Atalanta ka momente lodhjeje, por ende nuk e heq nga gara për titullin. Duhet të rikuperojë disa lojtarë, është një grup i krijuar nga trajneri ku të gjithë janë të barabartë. Nuk ka yje apo xhelozi, të gjithë janë të rëndësishëm”.
Faktorët që do të bëjnë diferencën deri në fund të sezonit: “Diferenca do të bëhet nga lojtarët më të mirë që do të mbeten fizikisht të paprekur. Dhe më pas nga rotacioni i super menduar. Në fillim të një ndeshjeje, kur vendos të pushosh dikë, mund të futësh dy lojtarë të rinj. Mekanizmat e ekipit funksionojnë kur niveli i lojtarëve nuk bie. Kjo vlen veçanërisht për Interin, mendonim se pas titullarëve Inzaghi kishte një batanije prej kashmiri, por në fakt ishte vetëm prej leshi…”







