Inzaghi: Momenti më i vështirë tek Interi? Jo, po luajmë një gjysmëfinale Champions-i…

30 Prill 2025
8:11
Alfred Lleshi
back button

Interi kthehet të fokusohet te Liga e Kampionëve pas tri humbjeve radhazi mes kampionatit dhe Kupës së Italisë. Simone Inzaghi e prezantoi sfidën ndaj Barcelonës në konferencën për shtyp.

Çfarë prisni nga gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve?
Djemtë kanë bërë diçka të jashtëzakonshme deri tani. Java e fundit nuk e fshin punën e bërë gjatë katër viteve, me shumë pengesa dhe shumë qartësi nga ana e klubit. Në tri ndeshjet e fundit duhej të kishim bërë më mirë, por jemi këtu pas katër vitesh për të konkurruar për çdo objektiv, kur disa thoshin se do të ishte e vështirë të arrinim mes katër të parëve në Itali. Nuk do më dëgjoni kurrë të flas keq për lojtarët apo klubin, falë tyre kemi arritur më shumë se çdo pritshmëri.

A është ky momenti juaj më i vështirë në stolin e Interit?
Kur je duke përgatitur një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, nuk është momenti më i vështirë… Ka entuziazëm. Kemi kaluar një javë të keqe, por sot duhet të jemi perfektë për të përballuar një kundërshtar të madh.

Cili është kufiri mes presionit për të arritur diçka dhe ambicies për të realizuar një ëndërr?
Ambicia duhet të jetë gjithmonë e pranishme, ne e kemi treguar këtë gjithmonë. Nuk e dimë si do përfundojë sezoni; kampionati nuk varet më nga ne, por në Champions jemi mes më të mirëve të Europës. Djemtë kanë dhënë gjithçka, java e fundit nuk ka qenë pozitive, por do futemi në këtë gjysmëfinale me shumë dëshirë. Pastaj do shohim kush do shkojë në finale.

Dimarco më shumë jo se po?
Për formacionin do të shohim. Thuram bëri stërvitjen e parë me grupin, nuk e kishim parë që nga ndeshja me Bayernin. Bëmë një punë të shkurtër, dha sinjale të mira, por do ta vlerësoj ditën e ndeshjes në mëngjes, do flas me të. Të gjithë të tjerët, përveç Pavard, janë të gatshëm. Si mbrojtës i tretë mund të luajë Bisseck, Darmian apo edhe De Vrij.

A prisni një Barcelonë ndryshe?
Është një skuadër që e njohim. Flick është një trajner i madh, që ka sjellë organizim te një skuadër shumë ofensive. Kur humb topin, Barcelona është ndër skuadrat më të organizuara në botë. Ka lojtarë ofensivë të jashtëzakonshëm. Është ndërtuar me kohë, me shumë lojtarë nga akademia. Ka fituar dy trofe dhe po lufton për dy të tjerë. Kemi shumë respekt, por asnjë frikë. Flasim për Barcelona, Bayern, Real, City, Arsenal, të gjithë kundërshtarë të mëdhenj, por ne kemi bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Duam të luajmë një gjysmëfinale prej Interi sonte.

Sa ndikojnë përballjet me Bayernin për ndeshjen e sotme?
Çdo skuadër ka filozofinë e saj. Bayerni është ndryshe nga Barça, edhe pse kanë disa ngjashmëri. Duhet të shfaqim në fushë të njëjtin përqendrim si ndaj Bayernit. Do të jetë përballje mes dy skuadrash me shumë ndeshje në këmbë. Kemi punuar shumë me video, pak edhe në fushë.

Përpara Bayernit kishit theksuar pastërtinë në pasim. Çfarë elementi duhet të kontrolloni sonte?
Duhet të jemi të saktë në pasim, ata do të luajnë gjithmonë në gjysmën tonë të fushës. Duhet të dimë të shmangim rikuperimet e tyre agresive dhe kur duhet, të mbrohemi si skuadër.

Sa ndikon rikthimi i Thuram në vendimin tuaj për formacionin, duke pasur parasysh ndeshjen e kthimit?
Është raund me vajtje-ardhje. Mendonim që do ta kishim gati për Romën, por nuk ndodhi. Për sonte do të shohim, varet si do jetë në mëngjes.

Flick tha se pret reagim nga Interi. A ka të drejtë?
Sigurisht. Vijmë nga një javë e keqe, që nuk e fshin punën e bërë, por e dinim që duhet të bënim më mirë. Sa i përket përkushtimit, dëshirës dhe dashurisë për fanellën, këta djem nuk kritikohen. Japin gjithçka dhe këtë e treguan edhe pas ndeshjes me Romën. Tifozët ishin afër nesh. Humbëm, por luajtëm me zemër në pjesën e dytë.

Nëse mungon Thuram, a ndryshon diçka taktikisht?
Jo. Kam dëgjuar që është diskutuar për këtë. Nëse nuk luan Thuram, do të zgjedh mes Taremi dhe Arnautovic. Arnautovic luajti 90 minuta tri ditë më parë, Taremi 55 minuta në Kupë. Nuk mendoj të ndryshoj gjë nga ana taktike.

Si është Dimarco? Duket në vështirësi fizike…
Federico është mirë. Fizikisht, skuadra është në gjendje shumë të mirë. Lexova diku që kemi probleme fizike, por ndaj Bayernit patëm statistikat më të mira kundër skuadrës më fizike në Europë. Champions-i këtë edicion ka qenë shumë më i vështirë, prandaj ka pasur dëmtime, si te ne, si te Bayerni apo Barça. Dimarco pati një ndalesë, por ka bërë ndeshje të mëdha. Do ta nisë titullar, pastaj do të shohim si do shkojë ndeshja.

Inter dhe Barcelona vijnë nga momente të ndryshme. A ka shumë diferencë?
Nuk mendoj. Së bashku me Arsenalin dhe PSG jemi katër skuadrat më të mira në Europë. Natyrisht, patëm një javë shumë të keqe së fundi. Barça vjen nga një triumf në Kupën e Mbretit. Jemi me emocione të ndryshme, por në fushë mund të bëjmë një ndeshje të madhe.

Çfarë mendoni për shpërthimin e një lojtari kaq të ri si Lamine Yamal?
Duhet përgëzuar Barcelona, sepse prodhon talente të mëdhenj. Lamine Yamal është një talent unik në botë, bën gjëra të jashtëzakonshme në funksion të skuadrës. Do të jetë i veçuar për vëmendje nga ne, edhe pse Barcelona nuk ka vetëm atë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit