Në një intervistë për “Inter TV”, trajneri i zikaltërve, Simone Inzaghi, analizoi fitoren 3-1 ndaj Parmës në “San Siro”, ku shënuan Dimarco, Barella dhe Thuram. Ja fjalët e tij: “Jam shumë i kënaqur për djemtë, luajtëm shumë mirë. Parma kishte fituar kundër Lazios, ishte paraqitur mirë edhe ndaj Napolit, ndaj jam i lumtur me mënyrën si luajtëm.
Donim ta nisnim ndeshjen mirë dhe ia dolëm. Nuk u nervozuam kur goli nuk po vinte, madje është për të ardhur keq që erdhi vetëm në minutën e 40-të. Gjithsesi, ndeshja jonë ishte e shkëlqyer, edhe në pjesën e dytë. E kontrolluam dhe e mbyllëm ndeshjen”.
A të befasoi goli i Dimarcos me të djathtën?
Federico stërvitet për të qenë efektiv me të dyja këmbët, realizoi një gol fantastik. Jam i lumtur që shënoi.
A ju befasoi qetësia e këtij Interi? A ishte arma juaj më e fortë?
Djemtë ishin shumë të zotë, nuk u nervozuan, edhe pse goli erdhi vetëm në minutën e 40-të. Në pjesën e dytë luajtëm edhe më mirë se në të parën.
Gara për titull vazhdon, Interi afrohet në -1 pikë nga Napoli…
Duhet të vazhdojmë rrugën tonë. Po kalojmë një periudhë shumë të mirë, edhe skuadra të tjera po bëjnë të njëjtën gjë si ne. Duhet të vazhdojmë të punojmë mirë, me shumë përqendrim. Ka ende hapësirë për përmirësim, më pas do të shohim se ku do të arrijmë.
Mbi grupin e lojtarëve që stërvit përditë…
Kam 25 lojtarë që i dua shumë, ata po më japin gjithçka. Duke menduar për rrugëtimin tonë në këto tri vite e gjysmë, jam shumë krenar. Fakti që tani jemi në fazën e 1/8 të Champions League është kënaqësi e jashtëzakonshme për t’u ndarë me djemtë dhe stafin tim. Arritja në Botërorin e Klubeve është shpërblimi për punën e të gjithëve në këto vite.







