I intervistuar nga “Inter TV”, trajneri i zikaltërve, Simone Inzaghi, e analizoi kështu kualifikimin e Interit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve: “Të jesh mes tetë ekipeve më të mira të Europës është një burim krenarie, sukses të cilin është e drejtë ta ndaj me tifozët, klubin dhe lojtarët, sepse pa ta nuk do të kisha arritur sot 200 ndeshje si trajner.
Jam krenar për faktin që skuadra nuk dorëzohet kurrë, ofron paraqitje të tilla, duke luajtur çdo 72 orë. Nuk është kurrë e lehtë, ndaj dua t’i përgëzoj të gjithë, sepse dëgjoj pak komplimente për atë që po bëjnë, për mënyrën se si janë konkurrues në çdo ndeshje. Kemi disa vështirësi në rotacion, sepse na mungojnë disa lojtarë, por kemi treguar se mund të mbështetemi edhe te të rinjtë, sepse kemi një akademi me vlera”.
Për fitoren 2-1 ndaj Feyenoordit: “Donim të hynim mirë në lojë, shënuam të parët me një gol të shkëlqyer nga Thuram, e menaxhuam mirë, mund të kishim dyfishuar, pastaj ata barazuan me penallti, por reaguam mirë duke shënuar përsëri.
Sekreti i kësaj skuadre? Grupi. Nuk ka sekrete, vetëm shumë punë. Djemtë kanë një atmosferë të shkëlqyer mes tyre dhe unë përpiqem t’i stërvis sa më mirë me stafin tim. Ata e vënë në praktikë me shpirt të madh sakrifice. Duan të nderojnë çdo ndeshje dhe e dimë që deri tani kemi bërë një rrugëtim të shkëlqyer. Mbeten muajt e fundit, më të rëndësishmit”.
Për kundërshtarin e radhës në Champions League: “Tani vjen Bayern Munich. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, duke ditur që do të jetë një sfidë e vështirë kundër një ekipi të madh, lider në kampionatin gjerman. Do të japim gjithçka”.







