Simone Inzaghi dhe Interi i tij përmbyllën një vit 2024 të jashtëzakonshëm, në mënyrën më të mirë të mundshme. Zikaltërit u konfirmuan të pamëshirshëm edhe kundër Cagliarit në 15 minutat e para të pjesës së dytë.
“Sigurisht, statistikat janë gjithmonë të rëndësishme, por pas përfundimit të pjesës së parë, bashkë me stafin e përgëzuam skuadrën, sepse duhej të vazhdonim kështu. Gjetëm një kundërshtar shumë të organizuar dhe këmbëngulës. Nuk ishte e thjeshtë të vije këtu në Cagliari dhe të fitoje ndeshjen.
Cagliari kishte humbur tri ndeshjet e fundit, në Firence, në shtëpi ndaj Atalantës dhe në Venezia, ku padyshim meritonte më tepër, – shpjegoi trajneri zikaltër për mikrofonat e DAZN. – Pra, kishim përballë një skuadër të lënduar nga tri humbje, por ende gjallë, dhe kështu ndodhi. Na duhej një paraqitje e shkëlqyer ekipore.
Në pjesën e parë e nisëm mirë, por gabonim disi në finalizimin e pasimit të fundit. Megjithatë, rastet e Lautaros dhe Mkhitaryan ishin të pastra, por nuk arritëm të shënonim. Në pjesën e dytë hymë në fushë duke ushtruar presion dhe shkurtuar distancat. E donim këtë fitore dhe e arritëm me shumë sakrifica. Tani do të nisemi për Superkupën.
Mbyllet një vit 2024 entuziazmues me fitoren e yllit të dytë, që do të mbetet gjithmonë me ne, do të na bashkojë gjithmonë me tifozët dhe drejtuesit tanë. Tani duhet të shohim përpara dhe të përgatitemi për të shkuar në Arabinë Saudite për Superkupën, duke e ditur se prej tri vitesh e fitojmë atë. Kësaj here do të përballemi me ekipe të forta, që duan të bëjnë të njëjtën gjë si Interi”.
Më në fund, Lautaro Martinez ka gjetur golin: “Ka pasur ndeshje që nuk ka luajtur, si në Champions dhe në Kupën e Italisë. Ai do të dëshironte të luante gjithmonë, është kapiteni ynë. Nga stafi gjithmonë i kemi thënë që të luajë i qetë, sepse ka një skuadër që luan për të. Lautaro nuk do të jetë kurrë problem për Interin, por gjithmonë zgjidhja”.
Më 2025 për t’u përmirësuar duhet të fitoni Champions League? Ja si përgjigjet Inzaghi: “Ne jemi Interi, kemi objektiva dhe është e drejtë t’i deklarojmë ato. E dimë që në janar dhe shkurt do të kemi dy muaj edhe më të ngarkuar, sepse do të luajmë vazhdimisht. Kam fatin të kem djem që japin gjithçka gjithmonë dhe pa kushte”.
Interi i tij është konfirmuar pothuajse i pagabueshëm në goditjet e ndaluara: “Ka një gatishmëri të madhe nga lojtarët. Kam fatin të kem me vete një staf që më ndihmon jashtëzakonisht shumë. Kam fatin të kem lojtarë të shkëlqyer për të gjuajtur goditjet e ndaluara. Ne lëvizim mirë, është padyshim një faktor dhe duhet të vazhdojmë të punojmë edhe në këtë drejtim. Organizimi të jep shumë në futbollin modern”.