Zidane është gati të kthehet, por me disa kushte. Paratë nuk ndikojnë në zgjedhjen e tij

29 Dhjetor 2024
11:51
Alfred Lleshi
back button

Më shumë se tri vite pas përvojës së tij të fundit si trajner i Real Madridit, duket se Zinedine Zidane është gati të kthehet në stol. Së pari, ai po bën një bilanc, sidomos për sa i përket Real Madridit. Pavarësisht rikthimit të tij të fundit në “Santiago Bernabéu” për prezantimin e Kylian Mbappé, mundësia e marrjes sërish në duar e “timonit” të merenguesve duket ende e largët.

Aventurës së Carlo Ancelottit duket se i ka ardhur fundi (në fund të këtij sezoni), por Florentino Pérez ka prioritete të tjera, përveç rikthimit të Zidane. Mediat iberike bëjnë me dije se Xabi Alonso është në “pole” për ta pasuar trajnerin e mirënjohur italian. Marrëdhëniet mes presidentit dhe ish-kampionit francez, pas disa tensioneve, janë përmirësuar, ideja e rikthimit te Real Madridi e tërheq Zidane, por nuk e bind shumë Pérezin.

Ajo që mbetet, për disa aspekte, mund të konsiderohet objektivi kryesor i “Zizou”: stoli i kombëtares franceze. Një pozicion që e ka tërhequr prej kohësh, por që mbetet i lidhur me qëndrimin e Didier Deschamps, i cili ka kontratë deri në vitin 2026.

Ndërkohë, Zidane po shijon jetën e tij të qetë në Madrid, i rrethuar nga familja, por nuk përjashton mundësinë e rikthimit në stol. Ish-trajneri i Real Madridit është i hapur për sfida të reja, me kushtin që ato të jenë ambicioze dhe të denja për prestigjin e tij.

Nuk do të jetë paraja që do të ndikojë në vendimin e tij, por cilësia e projektit që do t’i ofrohet. Për klubet që ëndërrojnë të kenë Zidane në stolin e tyre, mesazhi është i qartë: ai është i gatshëm të kthehet, por vetëm për një projekt që mund ta tërheqë vërtet.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit