Ish-numri 1 i botës në altar, martohet me tifozin që i uroi “fat të mbarë” në park gjatë US Open

14 Tetor 2024
12:18
Telesport
back button

Ish-tenistja spanjolle Garbine Muguruza, e tërhequr nga sporti vetëm pak muaj më parë, kur ishte 31 vjeçe, i ka thënë PO njeriut të saj të zemrës. Fundjavën e kaluar ajo është martuar me Arthur Borges, një fans i saj.

Takimi i parë mes të dyve ishte krejtësisht i rastësishëm: Ata u takuan rastësisht në Central Park dhe gjithçka nisi nga një “fat të mbarë” që ai i tha tenistes. Që atëherë ata nuk e kanë lënë kurrë njëri-tjetrin dhe tashmë janë martuar.

Muguruza, fituese e dy grand slam në karrierën e saj dhe ish-numri 1 në botë në vitin 2017, ka publikuar në profilin e saj në Instagram foto të ditës së madhe, në të cilat të dy bashkëshortët shfaqen të lumtur dhe të emocionuar për hapin e madh.

Vetëm prillin e kaluar ajo vendosi të tërhiqej nga loja e tenisit, duke “varur raketën e saj në gozhdë”. Gjithsesi, ajo u bë drejtoreshë e finaleve të WTA, që do të luhen në Riad të Arabisë Saudite deri në vitin 2026.

Çifti u martua në Marbella, para 90 të ftuarve nga e gjithë bota. Mes të ftuarve ishin edhe Carla Suarez Navarro, ish-partnerja e saj në dyshe dhe Conchita Martinez, trajnerja e saj e ikona të tenisit spanjoll.

Garbine Muguruza u takua rastësisht me burrin e saj të ardhshëm, me rastin e US Open 2021. “Hoteli im ishte afër Central Park dhe unë u mërzita, kështu që mendova të shkoja për një shëtitje. Unë dal dhe e takoj në rrugë. Papritmas ai kthehet dhe më thotë: “Paç fat në US Open”. Mendova, “Uau, është shumë e bukur“.

Pas propozimit për martesë, tenistja tha: “E dija se do të martohesha me të edhe para se të më kërkonte. Kur u njohëm ishte dashuri me shikim të parë dhe menjëherë kuptuam që ishim një çift ideal“.

Arthur Borges është një model dhe sipërmarrës spanjoll 40-vjeçar: ai ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij në Finlandë dhe ka një diplomë në Administrim Biznesi. Nuk është martesa e parë për të, duke qenë se në të kaluarën ka qenë i martuar me ish-patinatoren artistike finlandeze Kiira Korpi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit