“Na ishte dikur një mbrojtje e pakalueshme…”. Po të ishte përrallë, prapavija e Juventusit mund të cilësohej kështu. Pas dëmtimit të rëndë të Bremerit, i cili e mbylli shumë shpejt sezonin, skuadra e Thiago Motta e ka mbajtur portën e vet të paprekur vetëm në një rast.
Alternativat e deritanishme nuk kanë bindur, ndaj duket qartë se mungesa e brazilianit të lindur më 1997 po e zhvendos ekuilibrin në drejtimin negativ. Bardhezinjtë do të duhet, sipas të gjitha gjasave, të ndërhyjnë në merkaton e janarit.
MBROJTJA ME BREMER
Në 7 ndeshjet e para të sezonit, me Bremerin në fushë, Juventusi pësoi vetëm një gol, pikërisht atë në minutat e fundit kundër PSV-së, në Champions League.
Deri në atë moment, bardhezinjtë ishin mbrojtja më e mirë në Europë, por jo vetëm kaq. Me brazilianin në fushë, skuadra torineze thuajse nuk pranoi asnjë goditje në portë.
Krahas brazilianit, Gatti dhe Kalulu përfituan pozitivisht nga prania e tij, duke mos bërë asnjë gabim në ndeshje. Të tre formuan një prapavijë thuajse të pakapërcyeshme.
MBROJTJA PA BREMER
Nga 2 tetori e deri më sot, d.m.th që kur Bremer pësoi dëmtimin e rëndë kundër Leipzig në Ligën e Kampionëve, Juventusi e ka transformuar plotësisht mënyrën e tij të mbrojtjes.
Bardhezinjtë kanë pësuar 10 gola në vetëm 6 ndeshje, duke treguar brishtësi të madhe dhe lënë përshtypjen, në shumicën e rasteve, se nuk mund ta përballojnë peshën e sulmeve të kundërshtarëve.
DANILO NË VËSHTIRËSI TOTALE
Ajo që bie menjëherë në sy është se gjysma e 10 golave të pësuar pas dëmtimit të Bremerit erdhën në tri ndeshjet e fundit me Danilon si titullar.
Braziliani i lindur më 1991 e nisi keq kundër Shtutgartit, duke shkaktuar penallti (më pas e priti Perin) dhe mori të verdhën e dytë, që i detyroi bardhezinjtë të luanin me 10 lojtarë në minutat e fundit.
Në ndeshjen e radhës, “Derby d’Italia” kundër Interit, gjërat nuk ishin aspak të përmirësuara. Përveçse shkaktoi një tjetër penallti (të kthyer në gol nag zikaltrit), lojtari brazilian vuajti fizikalitetin e Thuram gjatë gjithë ndeshjes, duke mos arritur thuajse asnjëherë ta kufizonte.
Në ndeshjen e fundit ndaj Parmës 2-2 u rishfaqën të gjitha problemet e shikuara në ndeshjet e mëparshme. Thiago Motta duhet të bëjë disa vlerësime për repartin e mbrojtjes dhe në veçanti lojtarin brazilian.
MERKATOJA E JANARIT DO TË JETË THEMELORE
“Dëmtimi i Bremerit na bën të mendojmë se merkatoja e janarit mund të na japë një dorë. Ne do t’i shohim mundësitë, pavarësisht se e dimë se merkato e janarit nuk është e lehtë. Ndërkohë, le të shohim se çfarë mund të japin djemtë në skuadër”.
Këto ishin fjalët e drejtorit Giuntoli rreth 10 ditë më parë, përpara ndeshjes ndaj Lazios. Pas vetëm dy javësh, është bërë e qartë se reparti mbrojtës i Juventusit ka nevojë për përforcime, në përpjekje për të kompensuar mungesën thelbësore të Bremerit.







