Juventusi, ofertë zyrtare për ta blerë Conceição. Ja shifrat rreth të cilave po negociojnë palët

17 Qershor 2025
11:59
Alfred Lleshi
back button

Juventusi është duke punuar për të siguruar përfundimisht Francisco Conceição, anësorin ofensiv portugez që ka bindur drejtuesit e klubit dhe trajnerin e ri, Igor Tudor. Ky i fundit, në fakt, i ka komunikuar tashmë klubit dëshirën e qartë për ta mbajtur lojtarin edhe pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, duke theksuar rëndësinë e tij për projektin bardhezi.

Sipas asaj që raporton sot “Corriere dello Sport”, bisedimet me Porton, klubin që zotëron kartonin e Conceiçãos, kanë rifilluar. Porto kishte pranuar zgjatjen e huazimit deri në fund të korrikut. Një vit më parë, Juventusi kishte investuar rreth 7 milionë euro për huazimin e thatë (11 milionë euro në total, duke përfshirë bonuset dhe pagën), ndërsa tani po kërkon një ulje të konsiderueshme nga klauzola e lirimit prej 30 milionë eurosh, duke ofruar 20 milionë euro për ta mbyllur marrëveshjen.

Për këtë operacion po punon Jorge Mendes, menaxheri i fuqishëm që prej kohësh ka një kanal të privilegjuar komunikimi me “Zonjën e Vjetër”. Porto tashmë ka vendosur të heqë dorë nga Conceição, çka mund ta shtyjë të dalë në favor të kërkesave të Juventusit, edhe për të respektuar dëshirën e lojtarit për të qëndruar në Torino.

Megjithatë, është thuajse e sigurt që klubi portugez do të provojë të marrë një ofertë më të lartë. Palët janë në kontakt të vazhdueshëm, edhe gjatë ditës së djeshme pati shkëmbime të reja mes agjentit e dy klubeve. Shenjë kjo që marrëveshja përfundimtare mund të mos jetë shumë larg.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit