Mesfushori uruguajan i Real Madrid, Federico Valverde foli për mediat në prag të ndeshjes së Champions League që spanjollët do të luajnë sot kundër Kairat Almaty, një ekip kazakistanez që pret “los blancos” në raundin e dytë të turneut.
Gjithsesi, vëmendja është te humbja 2-5 që spanjollët pësuan në derbin ndaj Atletico Madrid të shtunën. “Këto kanë qenë ditë shumë të vështira. Ishte një goditje shumë e fortë, por folëm shumë“, tha mesfushori i Real Madrid.
“Që kur jam në Madrid, rrallë jemi takuar kaq shpesh për të folur. Diskutuam shumë për qëndrimin tonë në fushë dhe vetëdijen tone, për atë për të cilën po luanim. Gjithashtu patëm shumë diskutime me trajnerin dhe stafin e trajnerëve“, vazhdoi Valverde.
Më tej, ai tha: “Këto gjëra nuk duhet t’i ndodhin Real Madrid. Duhet të gjesh motivim në çdo ndeshje të vitit, por në një derbi është thelbësor. Qëndrimi nuk është i negociueshëm, dhe kjo është gjëja e parë”.
“Mund të bësh gabime në shumë mënyra, në pasime, në markime, në pranimin e golave, por qëndrimi nuk është i negociueshëm. Në minutat e para, treguam një qëndrim të ndryshëm, sikur barazimi të ishte i mjaftueshëm. Si një nga liderët, mund të them se do të kthehemi së bashku”, tha Valverde.







