Miroslav Klose beson se ka deshifruar sekretin e suksesit të Harry Kane nga pika e bardhë e penalltisë dhe ka ofruar këshilla se si mund të ndalet anglezi.
Saktësia e Kane nga pika e bardhë ka qenë e patëmetë që nga kalimi i tij te Bayern Munich, pasi sulmuesi 31-vjeçar ka transformuar me sukses të 18 penalltitë që ka realizuar për bavarezët.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Kane ka transformuar 84 nga 95 penallti, një shkallë suksesi marramendëse që ka tërhequr vëmendjen në të gjithë botën e futbollit.
Klose, sulmuesi legjendar dhe trajneri aktual i 1. FC Nuremberg së fundmi ndau mendimet e tij se çfarë e bën Kane kaq të jashtëzakonshëm nga pika e bardhë.
Duke folur për Süddeutsche Zeitung, Klose tha: “Ai mund të presë derisa portieri të lëvizë dhe më pas të gjuajë në anën tjetër. Dhe nëse portieri qëndron i palëvizur për një kohë të gjatë, ai ka saktësi dhe shpejtësi të mjaftueshme në gjuajtjen e tij për të gjetur cepin”.
Klose gjithashtu vuri në dukje pozicionimin e këmbës së Kane si një mjet mashtrues.
“Harry shpesh i ofron portierit një kënd me pozicionin e këmbës dhe më pas e dërgon topin te tjetri në momentin e fundit.
“Ndonjëherë portierët gjithashtu përpiqen ta mashtrojnë atë duke shtirë një lëvizje në një anë dhe më pas duke u hedhur nga ana tjetër, por ai e pret këtë”.
Kur u pyet se si një portier mund të ndalojë Kane, Klose tha:
“Do ta dija se çfarë duhet të bëja”, ka shpjeguar Klose: “Si portier do të bëja dy herë sikur zgjidhja një krah për t’u hedhur dhe më pas do të doja të shikoja nëse ai qëndron i ftohtë”.